“Tri dritare dhe një varje”, më i miri në festivalin e Uashingtonit

Filmi kosovar me regji të Isa Qosjes, “Tri dritare dhe një varje”; është shpallur filmi më i mirë nga festivali i filmit në Uashington, DC Independent Film Festival.
DC Independent Film Festival është festival i pavarur i filmit i themeluar në vitin 1999-të. Edicioni i sivjetmë ka nisur me datë 25 shkurt, ndërsa ky është çmimi i dytë këtë vit që filmi “Tri dritare dhe një varje” merr në ShBA, pas çmimit special të jurisë The Cinema Without Borders, që e mori në festivalin Palm Springs International Film Festival 2015 në Kaliforni.
Gjatë muajit shkurt, ndërkaq, filmi ka fituar çmimin Kinemaja për Paqe dhe Drejtësi që organizohet në Berlin. Të gjitha këto çmime ndërkombëtare synojnë të justifikojnë nominimin e filmit për kategorinë e filmit të huaj në Oscars, ku nuk ia doli të hynte përfundimisht.
“Tri Dritare dhe një Varje” bën fjalë për Lushen, njëra ndër tri viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në fshatin e saj, e cila pasi rrëfen përballet me paragjykimin dhe keqtrajtimin e fshatarëve që ndihen të turpëruar. Në rolet kryesore janë Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja, Aurita Agushi, etj. /rtk/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT