“Treshja” e rekordeve!

 

Reuters – Treshja ofensive e Barcelonës, Lionel Messi, Luis Suarez dhe Neymar duket se po shënojnë kur po ua do qejfi, ndërsa fushata e skuadrës katalunase për fitimin e tre trofeve të mëdhenj është duke u futur në fazën kyçe, përcjell “Koha Ditore”.
E njohur ndryshe me shkurtesën “MSN”, treshja jug-amerikane e sulmit të Barcelonës arriti në shifrën e 102 golave në të gjitha garat këtë stinor, pas fitores së thellë 6:0 në la Liga ndaj Getafes të martën mbrëma.
Kjo shifër është për dy më e madhe se rekordi i klubit, të cilin e kishte vendosur treshja Messi, Samuel Eto’o e Thierry Henry kur Barcelona fitoi tre trofetë e mëdhenj në vitin 2009.
Messi realizoi dy gola, përfshirë një penallti “Panenka”, Suarez po ashtu shënoi dy gola dhe Neymar realizoi një gol, ndërsa
Barcelona ka mbajtur epërsinë në La Liga ndaj Real Madridit kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund.
Messi ka shënuar 49 gola në të gjitha garat, sulmuesi uruguaian Suarez, që ka munguar deri në fund të tetorit pasi ishte i suspenduar për katër muaj pasi kafshoi mbrojtësin italian Giorgio Chiellini në Botërorin “Brazil 2014”, ka shënuar 21 gola, ndërsa sulmuesi brazilian Neymar ka realizuar 32 gola.
Me një performancë të tillë, nuk është për t’u habitur që kjo treshe ka vlerën në treg prej 260 milionë euro, sipas uebfaqes “Transfermarkt.de”.
Të gjithë gjashtë golat, përfshirë edhe goli spektakolar i kapitenit Xavi Hernandez, kanë kënaqur tifozërinë në “Camp Nou” dhe performanca mbresëlënëse ka lënë të nënkuptohet se Barça ka arritur kulmin e formës në kohën e duhur.
Barcelona luan ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, kundër Bayern Muenchenit në “Camp Nou” të mërkurën e ardhshme dhe do të shikojë të fitojë për herë të 27-të Kupën e Spanjës kur do të përballet në finale të saj me Athletic Bilbaon në “Camp Nou” në fund të muajit maj.
“Nuk e mbaj në mend ndonjë ndeshje tjetër në të cilin kemi parë kaq shumë gola spektakolar. Kur skuadra është kaq efikase është e pandalshme”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, për të cilin është stinori i parë në postin e trajnerit të Barçës, transmeton Koha.net.
Aftësitë shënuese të treshes “MSN” kanë qenë impresionuese, por edhe më impresionuese ka qenë paraqitja e kapitenit Xavi, i cili edhe pse në moshën 35-vjeçare mbetet një prej mesfushorëve organizativ më të mirë në ligë.
Ish-reprezentuesi i Spanjës, që ka bërë paraqitjen e 501-të në La Liga të martën, mund të jetë në edicionin e fundit te klubi, të cilit i është bashkuar si fëmijë. Mirëpo tifozët kanë bërë thirrje që ai të qëndrojë edhe më tutje, kur u zëvendësua në pjesën e dytë. Ata duan që Xavi të qëndrojë së paku edhe një edicion.
“Unë e kam njohur Xavin kur kam qenë ende duke luajtur dhe e mbaj në mend kur ai doli nga akademia. Ai është lojtar nga një galaksi tjetër dhe ai mund të luajë aq gjatë sa të ketë dëshirë”, ka thënë trajneri Enrique.

The breakdown of all goals scored by Messi, Neymar and Suarez this season. Stats courtesy of Opta

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT