Sikurse Trepça edhe rivalja lokale e saj, Trepça ’89 po planifikon të angazhojë lojtarë nga një kontinent tjetër. Kandidati për titull të kampionit shumë shpejt mund t’i sjellë në Mitrovicë disa futbollistë nigerianë, të cilët fillimisht do t’i testojnë e pastaj do të vendosë për t’u ofruar apo jo kontrata. “Xehetarët” kanë bërë të ditur se menaxherët e tyre po punojnë rreth transferimit të lojtarëve nga kontinenti afrikan, ndërsa klubi po punon rreth rregullimit të dokumentacionit, në mënyrë që ata pesë lojtarë të mundë të hyjnë pa problem në Republikën e Kosovës.
“Edhe para tri apo katër vjetëve i kemi pas sjellë disa lojtarë, por në aeroport i patën kthyer mbrapa, kurse tani po e përgatitemi dokumentacionin sa më mirë që të mos na përsëritet ajo situatë, sepse për lojtarë të tillë janë disa procedura më të komplikuara”, tha për “Zërin”, kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka.
“Ne po i presim pesë lojtarë. Fillimisht do t’i provojmë, pastaj do të vendosim për t’i mbajtur apo jo. Dy prej tyre janë sulmues, dy tjerë mesfushorë dhe një qendërmbrojtës. Do t’i paraqesim edhe në Federatë për regjistrim, sepse ata vijnë pak para fillimit të sezonit, përkatësisht pas mbylljes së afatit kalimtar”, theksoi ai.
Zeka pohoi se lojtarët nigerianë që po i pret ekipi i tij janë të moshave 20, 21 dhe 22 vjeç.
89-shi e ka objektiv kryesor titullin e kampionit dhe për t’iu afruar cakut, mitrovicasit të martën do të shkojnë në Ulqin për t’u përgatitur për sezonin pranveror, i cili nis pas pak javësh.
- Advertisement -