Në Kosovë, e po ashtu në Shqipëri janë të vetëdijshëm për rëndësinë e marrëveshjes për themelimin e tregut të përbashkët për sektorin e energjisë, një sektor që ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe parakusht për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Këto komente, Stavileci i bëri në konferencën e përbashkët për media me Ministrin e Energjetikës dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri që u mbajt pas takimi të parë të Komitetit Drejtues për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë.
Ministri Stavileci tha se pas nënshkrimit të marrëveshjes në vitin e kaluar në mes të dy qeverive, kemi kaluar në fazën e implementimit duke përmbyllur sot një fazë të rëndësishme, që ishte themelimi i Komitetit Drejtues dhe i Grupeve Punuese të cilat i hapin rrugë edhe krijimit të termave të referencës për themelimin e këtij tregu.
“Synimi është që krahas ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese për të përmbushur kërkesën për konsum të energjisë elektrike, të shihen edhe format dhe mundësitë alternative për kompensime të caktuara dhe për komplementaritet, dhe në këtë aspekt të gjithë pajtohemi se nuk ka derë më afër dhe më të sigurt sesa Republika e Shqipërisë”, tha Stavileci.
Sipas tij, tregu i përbashkët Kosovë- Shqipëri i hap rrugë edhe tregut rajonal energjetik, ngase sot në Evropë diskutohet për tema shumë madhore dhe njëra prej tyre është themelimi i Unionit të Energjisë, por edhe ne të dyja si shtete e dimë rëndësinë e themelimit të një tregu të tillë.
Nga ana e tij, Ministrin e Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri tha se korporatat e dy vendeve OST dhe KOSTT bashkëpunojnë në mënyrë të përditshme njëra me tjetrën dhe ky është një komunikim i përditshëm që e bën realizimin e këtij projekti madhor për integrimin e tregut shqiptar dhe kosovar në një treg të përbashkët energjetik.
“Në anën tjetër të dyja vendet kanë filluar punën fizike për ta lidh fizikisht këtë treg nëpërmjet atij damarit kryesor energjetik, pra linja e interkoneksionit Shqipëri- Kosovë. e cila po ec me ritmin e duhur dhe vendet tona shumë shpejt do të jenë plotësisht të integruara fizikisht. Nga ana e tjetër për t’i dhënë jetë të gjitha këtyre investimeve të rëndësishme drejt integrimit do të duhet patjetër të përballojmë sfidat për kapacitete të reja gjeneruese si Kosova dhe Shqipëria.”, tha Gjinkuri.
Ai tha se puna e përbashkët e këtij Komitetit Drejtues që do të realizohet me politika të përbashkëta mund të qojë edhe në investime të përbashkëta Shqipëri- Kosovë në objekte gjeneruese si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri nëpërmjet mundësive komplementare që ka Kosova nëpërmjet linjitit dhe Shqipëria përmes hidrove, që do të thotë vendet kanë një perspektivë energjetike nëse do të dinë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Sipas tij, e rëndësishme është që tashmë janë formuar grupet punuese, të cilat do të punojnë si për harmonizimin e legjislacionit, politikave, çështjeve teknike si dhe kapacitetet e përbashkëta që të dyja vendet të jenë efiçiente dhe të përmbushin nevojat energjetike për nevojat e sotme si dhe për të ardhmen.