Tre persona vdesin nga COVID-19 në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, ka njoftuar se se gjatë 24 orëve janë 71 raste të reja me COVID-19 dhe tri humbje jete.

Sipas MSH-së, trendi i shtuar i rasteve të konfirmuara ka vijuar dhe gjatë javës që lamë pas, por njëkohësisht epidemia ka paraqitur një numër më të lartë të rasteve që janë hospitalizuar dhe të rasteve që kanë humbur jetën.

“Është vënë re një numër më i lartë i testimeve por përqindja e pozitivitetit është reflektuar me një nivel qëndrueshmërie pothuaj të njëjtë gjatë gjithë javës. Prezenca e rasteve me COVID-19 është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejt me vetëndërgjegjësimin dhe zbatimin në mënyrë rigoroze të protokolleve higjieno-sanitare të sigurisë. Në 24 orët e fundit 3 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, mes tyre një mjek 69-vjeçar nga Puka, i cili luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv. Dhe dy qytetarë, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë”, thuhet në njoftim.

Gjatë 24 orëve të fundit, MSH-ja thotë se janë kryer 459 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier. Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT