Trajneri dhe kapiteni kërkojnë fitore ndaj Armenisë

 

Trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi tashmë i pajisur dhe me pasaportë shqiptare, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Armeninë ka thënë se ekipi duhet të ruajë qetësinë dhe të vlerësojë kualitetin e kundërshtarit.

“Duhet të bëjmë një ndeshje taktikisht perfekte pa lejuar hapësira për kundërshtarin sepse kanë kualitete në kundërsulm. Ne nuk luajmë për barazim por për fitore.

Për të fituar duhet studiuar loja e kundërshtarit, të përgatitemi psikologjikisht dhe të bëjmë detyrat që kemi kryer në stërvitje. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos na pushtojë entuziazmi. Kundërshtari ynë është i rrezikshëm dhe duhet marrë në konsideratë ndërsa ne duhet të shfrytëzojmë kualitetet tona”.

E njëjta “kërkesë” vjen dhe nga kapiteni Cana, i cili theksoi që skuadra shpesh herë ka gabuar për shkak të euforizmit. Mbrojtësi kosovar shtoi më tej se i gjithë grupi ka vetëm një objektiv, suksesin.

“Skuadra ka më shumë përvojë dhe di të përshtatet me çdo lloj situate gjatë ndeshjes, di të reagojë dhe kjo është pozitive. Do të luajmë për fitore por në fund do të flasë fusha”.

Ndër të tjera lideri i kuqezinjve e cilësoi Armeninë “një kundërshtar i vështirë për skuadrat më të mëdha të grupit”. Gjithashtu këshilloi tifozët që të tregohen të duruar me skuadrën për  arritjen e rezultatit.

“Armenia ka qënë një kundërshtar i vështirë për skuadrat më të mëdha të grupit dhe nuk ka arsye pse të mos jetë  dhe për Shqipërinë”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT