Trafikuan 10 mijë kosovarë drejt BE’së, kapen 77 anëtarë të bandës

    Banda përbëhet nga trafikantë nga Kosova dhe dyshohet se është përgjegjëse për trafikimin e rreth 10 mijë refugjatëve drejt vendeve të BE-së.

    Në një aksion në shkallë të gjerë, të nisur nga Policia e Austrisë është kapur një bandë trafikantësh nga Kosova për të cilën dyshohet se është përgjegjëse për trafikimin e rreth 10 mijë refugjatëve drejt vendeve të BE-së.

    Sipas policisë, kjo bandë ka përfituar miliona euro nëpërmjet rrugës kriminale.

    Me arrestimin e 77 personave në të njëjtën kohë në 7 vende europiane, policia ka shkatërruar strukturën e një organizate mafioze, shkruan krone.at. Hetimet patën filluar nga landi austriak Kärnten.

    Pas disa muajsh të hetimeve që kanë përfshirë 16 000 përgjime telefonatash , aksioni është përmbyllur me sukses. Në raportin përfundimtar të bërë nga prokuroria mund të shihen shumë të dhëna mbi vila luksoze, policë të korruptuar, tregti me drogë, plaçkitje dhe mbi të gjitha, mbi trafikim me qenie njerëzore, transmeton albinfo.ch gazetën austriake.

    Sfidues në këtë rast ka qenë koordinimi i informatave të marra nga një numër shtetesh të ndryshme”, ka thënë njëri nga përgjegjësit e aksionit. Në fund policët, të udhëhequr nga kriminalistët e landit Kärnten dhe me ndihmën e Europol-it e Eurojust-it ia kanë dalë të depërtojnë deri në nivelet e larta të organizatës mafioze dhe ta shkatërrojnë atë. Për këtë meritë, policët hetues nga ky land do të dekorohen si kriminalistët e vitit në Austri, thuhet më tutje në artikull.

    Sipas udhëheqësve të aksionit, veprimi i tyre ka dhënë fryte në luftën kundër tregtisë me qenie njerëzore: “rrugët e trafikimit janë bllokuar, fluksi i refugjatëve nga Kosova është ndërprerë dhe kërkesat e azilit nga ai vend kanë rënë përgjysmë”