Tomë Gashi prezanton raportin e ekspertëve të pavarur: Logjika tregon se Astrit Dehari është vrarë, e jo vetëvrarë (Video)

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi bëri të ditur se ekspertët e pavarur kanë dalë me raportin e tyre lidhur me vdekjen e Astrit Deharit, ku thuhet se vdekja është e dhunshme, e menjëhershme dhe ka ardhur si pasojë e asfiksisë së dhunshme (traumatike).

Në raportin e ekspertëve të pavarur thuhet se dëmtimet e rrënjës së gjuhës dhe disa dëmtime në qiellzë dhe gjuhë janë pasojë e dislokimit të shkaktuar nga veprimi mekanik i pengesës mekanike (mjet i fortë solid) me forcë – shtytëse me intensitet të lartë.

“Dëmtimet në trajtë gërvishtje në qafë dhe në pjesën e kyçit të dorës së majtë janë shkaktuar me mjet të mprehtë me intensitet të ulët, për së gjalli, dëmtimi në trajtë simulimi ndërsa dërrmishjet në pjesën e sipërme të ballit (të përparme të sipërme të kokës) dhe dëmtimet e tjera të sipërpërmendura janë bërë me goditje topike, me mjete të forta mbrehëse, me mekanizmin e shtrëngimit, goditjes dhe përplasjes”, thuhet në raport.

Po ashtu, lëndimet në kokë në parakrahun e majtë dhe në faqen e jashtme, të poshtme, të parakrahut të dorës së djathtë, anën e djathtë të qafës, këndin e nofullës së poshtme, janë shkaktuar me mjet të fortë dhe këto klasifikohen si lëndimet trupore me natyrë më shumë si shenja të vetëmbrojtjes.

Avokati Gashi tha se të gjeturat tregojnë dhe është përfundim logjik se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje.

Sipas avokatit Gashi, edhe Instituti i mjekësisë ligjore asnjëherë nuk ka thënë se është vetëvrasje.

“Në bazë të pamjes dhe lokalizimit topografik të lëndimeve në rrënjën  e gjuhës dhe kavitetit të gojës, me lehtësi mund të rikonstruktohet mënyra e shkaktimit të lëndimeve. Mbyllja e laringut (me fundin e gojës) një ngufatje e tillë bëhet gjatë dhunimit, zakonisht me qëllim të pengimit të britmës për ndihmë të viktimës së sulmuar tek të rriturit. Asfiksi mekanike e shkaktuar nga mbyllja e vrimës së gojës, pa mbyllur vrimat e hundës nuk parandodhin zakonisht”, thuhet në raport.

Të dhënat e vendit të ngjarjes, studimi kriminalistiko-mjekoligjor i objekteve të fiksuara në foto, në dyshemenë e dhomës së paraburgimit (vlerësim nëpërmjet fotove të dhëna në dispozicion), një jastëk në dysheme me mbetje jarge (send i butë i përdorur në të cilin vihen re njolla pështyme të lëna nga viktimat në çastet e vdekjes) mund të kenë kontribuar në rezultatin përfundimtar të mënyrës dhe natyrës së kësaj asfiksie mekanike.

Në raport, më saktësisht jepet ky konkluzion: Bazuar në të dhënat e mësipërme dhe në kriteret mjeko-ligjore bashkëkohore, vdekja e të paraburgosurit, Astrit Dehari, ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike traumatike, si lëndime të shkaktuara nga mungesa e oksigjenit (hipoksia) për shkak të pengesave mekanike të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes së brendshme nga ngjeshja me forcë e një mjeti me konsistencë të fortë.

Asfiksia klasifikohet e dhunshme me ndërprerje të plotë të frymëmarrjes dhe vdekja e shpejtë, me dëmtime në trajtë simulimi dhe shenja të vetëmbrojtjes, thuhet në raportin e ekspertëve asistues mjeko-ligjor, Besim Yma dhe Besim Latifaj. /Telegrafi/