Dhomat e Specializuara në Hagë sot kanë ngritur aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi e kreut të PDK-së, Kadri Veselit, shkruan Front Online.

Menjëherë pas publikimit të aktakuzave, ka reaguar gazetari dhe korrespodenti i ‘The Economist’ Tim Judah.

Judah përmes një shkrimi në “Twitter” ka shkruar se kjo aktakuzë ndaj tyre ndryshon gjithçka.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli të paditur për vrasje nga Dhomat e Specialistëve në Hagë. Kjo ndryshon gjithçka … “krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, përfshirë vrasjen, zhdukjen me forcë të personave, persekutimin dhe torturat”, ka shkruar ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar  u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.