“Thyhet akulli” mes Ramiz Lladrovcit e Sami Lushtakut? Lladrovci viziton Skenderajn për t’i uruar pozitat e kryetarit dhe nënkryetarit, Fadil Nurës e Sami Lushtakut

Ramiz Lladrovci gjatë ditës së sotme së bashku me Vlora Çitakun kanë vizituar Skenderajn, për t’i uruar pozitën e kryetarit të Skenderajt Fadil Nurës dhe pozitën e nënkryetarit Sami Lushtakut, shkruan Drenica Press.

Pas takimit kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes facebookut të tij ka thënë se: “Sot, me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitakun, kryetarin e Grupit parlamentar, Abelard Tahirin, Lulzim Nikën, Mehdi Gjokën dhe Hysni Thaçin, shkuam për ta uruar kryetarin e komunës së Skenderajt, Fadil Nurën, dhe nënkryetarin Sami Lushtakun, kryetar i Degës së PDK-së, për mandatin njëherësh për të shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit.

Drenica me dy komunat e veta, për më gjatë se një shekull ka paraqitur hapësirë historike të veçantë, në shumë fusha. Rezistenca ishte thelbi i veprimtarisë dhe pandërprerë prodhonte flakë baroti në të cilën përcëlloheshin okupatorët, nga otomani, mbretëria jugosllave, regjimi komunist dhe ushtria kriminale serbe.

Drenica si vatër e pashuar lirie, si udhëkryq që lidhte pjesët tjera të shtetit tonë, në fund të shekullit të kaluar, rikonfirmoi se ka shtat të papërkulur. Rezistencën e bëri fyt më fyt, shtëpi për shtëpi dhe do të kulmonte me Epopenë e Jasharajve dhe komandantin legjendar Adem Jasharin.

Sot, më shumë se kurrë, Drenicës, dy komunave tona i duhet zhvillim i gjithanshëm, parësor është zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe kushtet për jetë dinjitoze në Republikën e Kosovës. Ne jemi gati të vazhdojmë punën e palodhshme për të gjithë qytetarët, bashkëpunimin ndërkomunal dhe harmonizimin për projektet e interesit të përbashkët.

Do të vazhdojmë në rrugën e bashkëpunimit duke zbatuar barazinë para ligjit, transparencën dhe llogaridhënien. Drenica ka mundësi të jetë shembull i qeverisjes lokale, në të dy komunat. Sukseset do të jenë të pandalshme, sepse, ne punojmë shumë, sepse, kemi dëshmuar se e duam vendin tonë, e duam mirëqenien e qytetarit tonë.