Thaçi viziton Vushtrrinë, shkel rregullat e komunikacionit (Foto)

Zv.kryeministri, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi sot qytetin e Vushtrrisë, duke përsëritur edhe njëherë se protesta e së martës ishte organizuar për ta marrë pushtetin me dhunë.
“Është e papranueshme edhe dhuna që po përdoret për rritjen e qëllimeve politike, prandaj mendoj se qëllimi i organizatorëve është më së paku deklarata e ministrit (Jabllanoviq). Qëllimi i tyre është që përmes dhunës të marrin pushtetin”, ka thënë Thaçi.
Para se të fliste për protestën që pati përfundim të dhunshëm, kryediplomati u prit në objektin e komunës nga kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku.
“Pata mundësi që ministrin Thaçi ta njoftoj për zhvillimet në komunën tonë, për punët që janë kryer vitin e kaluar, të gjitha investimet kapitale në të gjitha fushat, po edhe planifikimet për këtë vit”, ka thënë ndër tjerash Mulaku.
Thaçi gjithashtu ka premtuar ndihmë qeveritare për Vushtrrinë.
“Vushtrria njihet si qytet, si pjesë e bujqësisë dhe investimet do të vazhdojnë qoftë si subvencione apo grante dhe besoj që qytetarët e Vushtrrisë do të jenë prej përfituesve më të mëdhenj”, ka deklaruar Thaçi.
Por makina e ministrit të Jashtëm, derisa ai vizitonte Vushtrrinë, i theu rregullat e komunikacionit duke hyrë në një rrugë njëkahëshe. /kallxo.com/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT