Thaçi takon homologun e tij holandez

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon vizitën në Holandë, ku sot do të ketë një takim bilateral me homologun e tij holandez, Bert Koenders, me të cilin do të bisedojë për thellimin e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe shtetit holandez, e veçanërisht në rrafshin ekonomik.
Thaçi po merr pjesë në konferencën e katërt Globale për Sajber Hapësirën, ku janë mbi 40 ministra dhe sekretarë shtetërorë nga të gjitha kontinentet, duke përfshirë edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Në këtë konferencë dyditore që po mbahet në Hagë do të jenë edhe përfaqësues të organizmave kryesorë ndërkombëtarë duke përfshirë Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Carl Bildt, ish-kryeministër i Suedisë dhe drejtues i Komisionit Global për qeverisje të internetit, zyrtarë të lartë të NATO, UNESCO, EUROPOL, dhe INTERPOL.
Të pranishëm në konferencë do të jenë edhe përfaqësues të OJQ-ve të njohura botërore, ekspertë të universiteteve prestigjioze globale dhe anëtarë të bordeve të kompanive kryesore të teknologjisë informative si Facebook, Microsoft, ICANN, Cisco.
Synimi i kësaj konference është nxitja e bashkëpunimit praktik mes shteteve, biznesmenëve, institucioneve shkencore për harmonizimin e standardeve dhe normave ndërkombëtare të qasjes së përgjegjshme në sajber hapësirë. /Telegrafi/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT