Thaçi: Rihapja e temës së Asocacionit, rrezik për krijimin e një Republike Serbe

Presidenti Hashim Thaçi tha sot se në Bruksel nuk duhet të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse rrezikon krijimin e një Republike Serbe në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

Presidenti Thaçi tha se rihapja e temës së asocacionit në Bruksel është rikthim prapa për Kosovën dhe goditje e shtetësisë së saj.

“Asociacioni është diskutuar dhe duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe opinion e Gjykatës Kushtetuese. Është goditje për Kosovën, cenim i sovranitetit dhe është me rrezik për krijimin e Republikës Serbe në Kosovë. Këtë të drejtë se ka askush ta negociojë. Gjithcka ka përfunduar në 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Takimi i së enjtes është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës dhe është agjendë e Serbisë”, tha Thaçi, shkruan Reporteri.net.

“Çdo agjendë që e përmendët ju, qoftë për asociacionin, qoftë për pronat apo çështje tjera janë diskutuar dy tri herë. Për mua është kthim prapa për Kosovën, është agjendë e Serbisë që procesin e çon drejt një degjenerimi dhe tendence të dobësimit të Kosovës”, tha ai.
Më 7 shtator, pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, liderët kanë thënë se në kuadër të këtij dialogu janë hapur edhe dy tema: asosacioni i komunave dhe çështja e zgjidhjes së kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, shkruan Reporteri.net.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë./Reporteri.net

- Advertisement -

MË TË FUNDIT