Thaçi, pjesë e samitit të Bërdos në Slloveni

Me ftesë të homologut të tij slloven, zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, ka udhëtuar për në Slloveni për të marrë pjesë në samitin e Bërdos, ku nesër do të takohen ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, së bashku me ministrin e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Austrisë dhe atë të Italisë.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në samitin vjetor të Bërdos do të diskutohet për perspektivën evropiane të shteteve të rajonit, në mënyrë që të rrisin reformat e nevojshme politike, socio-ekonomike e institucionale për integrim sa më të shpejt në BE.

“Shqetësimet e përbashkëta lidhur me stabilitetin e sigurinë e Evropës dhe perspektivat mjedisore do të jenë gjithashtu objekt i diskutimeve të ministrave të jashtëm. Por, pjesë e diskutimeve sikurse edhe në samitet e tjera, do të jetë edhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit dhe radikalizmit fetar, rrjeti infrastrukturor i rajonit dhe rinia e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Në samitin njëditor të Bërdos në Slloveni do të jetë edhe Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit i BE-së, Johannes Hahn.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT