Deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi, thotë se Kurti e Osmani po e dëmtojnë shtetesinë e Kosovës.

Sipas saj, Kurti po tenton ta zhbëjë Kosovën dhe në këtë grackë ka rënë edhe Osmani.

Postimi i saj i plotë:

Kosova është në rrezik. Mos ju jepni krah shkatërruesve të shtetësisë.

Albin Kurti po tenton ta zhbejë shtetin e Kosovës. Nxitja e anarkisë, shkeljes së Kushtetutës dhe të ligjeve, linçimi publik i bartësve të institucioneve, janë metodat radikale që po i përdor ai për të mbështetur pohimin e vjetër serb, që “shqiptarët e Kosovës nuk mund ta mbajnë shtetin”. Në këtë grackë ka rënë edhe u.d. presidentja Osmani. Ja sa “e zonja” paska qenë. Ja sa shumë e paska dashur pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ja sa “feministe” qenka. E sulmon të vetmen grua që ka nje pozitë publike udhëheqëse e të pavarur në vend. Me e keqja është se Kurti e Osmani po e dëmtojnë shtetesinë e Kosovës në emër të popullit të saj.

Por a do ta lejojë populli këtë? Populli është me i mençur sesa mendon Kurti. Pushteti merret përmes votës së lirë. Kosova nuk duron diktator. Kosova do të mbetet REPUBLIKË dhe siç ka thënë presidenti Biden, shtetësia e saj është e pakthyeshme.