Tevez qetëson Juventusin, qëndron deri në 2016-ën

Karlos Tevez ka qetësuar të gjithë tifozët e Juventusit dhe vetë klubin duke deklaruar se do të respektojë kontratën që ka me kampionët e Italisë. Javët e fundit gazetat italiane kanë raportuar shpesh për rikthimin e Tevez në Argjentinë tek Boka Xhuniors, pasi kjo është vetë dëshira e sulmuesit. Gjërat ishin bërë edhe më serioze pas deklaratave të presidentit të Bokës që pat deklaruar se Tevez mund të bashkohej me klubin nga Buenos Aires që në merkaton e verës. Një deklaratë e tillë shkaktoi jo pak reagime në Itali dhe mjaft bezdi në radhët e Juventusit. Administratori i deleguar i Juventusit, Bepe Marota u hodh menjëherë në sulm duke deklaruar se Tevez nuk lëviz nga Torino. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe vetë sulmuesi në përfundim të ndeshjes kundër Lacios, ku ai ishte protagonist me golin e parë. Duke folur për mediat italiane pas suksesit të bardhezinjve Tevez ka deklaruar për të ardhmen e tij: “Unë kam një kontratë deri në vitin 2016 me Juventusin dhe po mendoj që ta respektoj deri në fund. dëshira është të kthehem në Argjentinë tek familja ime, por mendoj se do të qëndroj edhe një sezon tek Juventus. Dua të vazhdoj të jem pjesë e suksesit të këtij ekipi dhe të jem një lojtar i rëndësishëm për këtë klub”.
Suksesi me Lacion – Sulmuesi argjentinas është ndalur dhe te suksesi me Lacion që e ka afruar dhe më shumë me titullin e katërt kampion radhazi ekipin e Alegrit. “Kemi bërë një paraqitje të mirë dhe e kemi merituar suksesin. Ka qenë një ndeshje e dominuar nga ne dhe që na ka afruar edhe më shumë me titullin kampion”- ka deklaruar Tevez.
Champions – Në fund të intervistës së tij pas ndeshjes, Tevez është ndalur dhe te ndeshja e mesjavës së ardhshme në Champions kundër Monakos. Juventus ka fituar 1-0 në ndeshjen e parë falë një goli nga Vidal dhe shkon në Monako për të ruajtur këtë gol që do ta çonte në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. “E kam thënë që ditën e shortit se ndaj Monakos nuk do të jetë shaka. Champions nuk është asnjëherë e lehtë. Ne duhet të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer nëse duam të shkojmë në gjysmëfinale”- ka deklaruar Tevez.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT