Tërmeti më i keq është dhuna!

Lajmi i parë që më zunë sytë sot, sa hapa rrjetet sociale, ishte ai i vrasjes së një gruaje në Durrës nga bashkëshorti. Titulli nuk e kursenin as armën e ftohtë të përdorur. Siç ndodh rëndom në këto raste, nuk pata dëshirë ta lexoj më tej lajmin, që me gjasë do të më servirte ndonjë foto të së ndjerës ose ndonjë detaj intim të jetës së tyre; Imtësi këto që i bëjnë lajmet të klikueshme dhe ngopin orekset kureshtiplota të lexuesve të kronikës së zezë. Më mjaftonte të dija që një gruaje i ishte marrë jeta përdhunshëm nga njeriu me të cilin supozohej të jetonte e lumtur përgjithmonë. Sado të zakonshme të jenë bërë lajmet e kobshme të vrasjeve dhe vdekjeve, sërish ato ta trazojnë paqen e brendshme dhe ndjenjën e drejtësisë sociale e të sigurisë. Rreth nesh, si pa të keq, këputen ditë pas dite jetë njerëzish, jo nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por nga ligësia njerëzore. Viktima e fundit qe gruaja nga Durrësi. Mendova kushedi sa është trembur nga goditjet e tërmetit të dhjetorit ajo grua. Sa frikë do të ketë pasur për jetën, teksa toka dridhej indiferente ndaj frikërave, pasigurive e andrrallve tona. Por asaj së gjorës tërmeti s’i kishte bërë asgjë. E keqja nuk i erdhi nga ndonjë katastrofë natyrore, i erdhi nga i shoqi. Shfryva një psherëtimë trishtimi e mërie dhe u rreka ta largoj mendjen.

II.

Ia themi shpesh njëri-tjetrit, kur përpiqemi të ngushëllohemi për jetesën në Shqipëri, që nuk është as aq e lehtë e as aq e mirë sa do ta donim: falë Zotit këtu te ne koha bën e mirë! Epo… keq jemi, rrogat janë keq, një punonjës i thjeshtë poste në Kosovë paguhet më shumë se një pedagog në Tiranë, spitalet i kemi pa ilaçe, bibliotekat me pak libra, qytetet pa biblioteka, shkollat pa ngrohje, rrugët pa siguri, por plot me aksidente, ushqimet të pakontrolluara, ujin të papijshëm, me orar e me depozita… por të paktën kemi diell, diell pranveror edhe në dimër.

Këto e ca të tjera po flisnim me një shoqen time të gjimnazit, me të cilën u takuam buzë liqenit artificial të Tiranës, duke bërë një farë bilanci nga ato bilancet që i bën me miqtë e mirë, për ç’kishim bërë këto 15 vite të shkuara të jetës. Dielli ishte i ngrohtë dhe bari ku po pinim ngeshëm makiatot, mbushur dengas me gjyshër, fëmijë e të rritur. Aty pranë nesh dy-tri teto piqnin kokoshka. Morëm edhe ne dhe zumë t’i hanim duke ua shijuar aromën si prej fëmijërisë. Ç’e diel e mirë!

Mirëpo, papritur u dëgjuan zëra të lartë.

Ngritëm kokat dhe pamë kamerierin që shtyhej me një lypëse që mbante një bebe në krahë.

–Ik moj! Ik anej, hec! –briti duke e zënë dhunshëm për krahu.

–Ça ke ore ti, ça ke! –ia priti lypësja. –Pse ty do të të pyes unë? Pederast i dreqit!

Fjala “pederast i dreqit”, thënë me zë të lartë, e tërboi keq kamerierin, që e shkelmoi gruan këmbëve dhe si të mos mjaftonte i futi duart në fyt. Nga tavolina ngjitur me tonën, hovi një djalë i ri që iu hakërrye kamerierit:

-Ça bën, ça bën?! Po ti, ore legen, me gra merresh!

-Ulu, pi kafen ti aty. Mos u përziej, -ia ktheu kamerieri ndercenuar.

-Ta tregoj unë ty! – iu hakërrye djali “kalorsiak” dhe ia ngjeshi me shpullë surratit kamerierit. Sakaq dhe shokët e të riut u ngritën nga tavolina, gati për të rrahur kamerierin.

–Ej, ej….ej. Ça bëni, pse kështu zgjidhet kjo punë, me të rrahura? – bëra zë unë. Lypësja duke qarë vazhdonte thërriste “Iii pederast i dreqit, maskara… po ne s’do bëjmë lekë ne, s’do hamë bukë”, ndërsa bebja që mbante në krahë, për çudi nuk reagoi fare pavarësisht poteres e zallamahisë; me gjasë, nën efektin e ndonjë valiumi, vijonte të shihte ëndrra të pambukta.

M’u bë një lëmsh në fyt. Po e shihja me sytë e mi dhunën ndaj një gruaje dhe ai njeri, që i doli asaj në mbrojtje, qe vetë gati për t’u përleshur. Ndërsa të tjerët që hurbnin kafetë, veç bënë sehir, pa e marrë mundimin të ndërhynin.

-…dhe çfarë po thoshim për jetën në Shqipëri…? – nëpërdhëmbi shoqja ime.
Nga tavolina ngjitur shokët i thoshin djalit “mbrojtës” se kot i foli kamerierit, ai meritonte ta rrihje direkt me të parën, pa i thënë asnjë fjalë. Të kacagjelosur me ca qëndrime patetike prej heroi shanin me fjalë të ndyra kamerierin e dhunshëm.

-Ufff, hajde të hash kokoshka tani… çfarë bëhet këtu, -fola duke zënë fytyrën me duar.

-Po, më tha ajo. -Por përpiqu ta rritësh siç duhet atë djalin tënd. Kjo është t’i bësh një të mirë njerëzimit.

Kishte të drejtë. Gjithë dhuna që na shfaqet me forma nga më të ndryshmet e kafshëroret e ka në thelb mënyrën se si djemtë janë rritur, se si janë mëkuar në familje, si kanë parë të sillen burrat me gratë në rrethin e tyre shoqëror.

III.

Është disi irracionale të përpiqesh të ruhesh nga dukuri që nuk i kontrollon dot, siç janë dukuritë katastrofike natyrore, por edhe më irracionale të mos bësh asgjë për të edukuar më mirë e ndërgjegjësuar shoqërinë për pasojat e dhunës.

Të gjithë e pamë atë burrin në supermarket, që kur bie tërmeti e kapërcen duke e shtyrë gruan që ka afër, vetëm për të shpëtuar veten, pa e çarë kokën për atë që la pas. Ajo video është një sintezë e trishtë e mënyrës së përgjithshme se si trajtohen gratë në Shqipëri. Hidhe tej, shkele me këmbë, kape për fyti, vrite fare… s’është as rasti i parë e as i fundit.

U ndjeva ligsht dy herë sot dhe besoj se njëjtë do të ndihej çdokush, që e kupton se tërmeti më i hidhur është dhuna. Është e kotë të rrekemi ta largojmë mendjen. Parametri i pranueshmërisë së dhunës në shoqërinë tonë duhet të ndryshojë sa më parë. Një tërmet si dhuna mund të ketë goditje e pasgoditje të forta e fatale dhe kur godet një tërmet i tillë është e kotë t’i themi ato frazat ngushëlluese “Zot, mba dorën”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT