Tërmet te lista ‘Srpska’

Shkarkimi i Lubomir Mariqit, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe emërimi në vend të tij i Mirjana Jevtiqit ka shkaktuar “tërmet” të vërtetë te Lista “Srpska”.

Shumica e deputetëve të Listës “Srpska” kanë shkarkuar shefin e Grupit Parlamentar, Sllavko Simiq, dhe në vend të tij kanë emëruar Sasha Millosavleviqin.

Këtë vendim, siç bëjnë të ditur mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, e kanë marrë 6 nga 11 deputetë sa ka Lista “Srpska”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ky vendim, sipas shumicës së deputetëve të Listës “Srpska”, është marrë për shkak se, siç është thënë, “Simiq ka bërë një delikt tjetër politik dhe i ka krijuar popullit të vet turpin më të madh, duke propozuar për ministre personin siç është Mirjana Jevtiq”.

“Këtë vendim e kanë marrë shumica, 6 nga 11 deputetë të ‘Srpska’, pasi që Simiq me një grup të vogël të anëtarëve të GP-së, në mënyrë të fshehtë është marrë vesh me Isa Mustafën për ta shkarkuar ministrin Lubomir Mariq.

Ndonëse nga ana e zyrtarëve të lartë të Serbisë u është bërë apel deputetëve nga radhët e Lëvizjes së Socialistëve se me këtë akt krijohet ndasi dhe përçarje, Simiq me grupin e tij, duke pasur përkrahjen edhe të partisë së tij, vendosi që të bëjë pakt me Isa Mustafen dhe shkarkuan ministrin Mariq vetëm për shkak se ka qenë besnik i interesa të serbëve”, thuhet në komunikatën e Listës “Srpska”.