Tension, në Dibër ndërpritet numërimi. Rivalët “luftojnë” për çdo votë

Gara më e fortë në këto zgjedhje duket se është ajo për Bashkinë e Dibrës, ku dy kandidatët, Shukri Xhelilin e ASHE-së dhe Ilir Krosin e APPD-së, i ndan nga njëri-tjetri një grusht votash, pas 73 kutive të numëruara.

Që në mëngjes dy kandidatët e kanë parë veten herë njëri dhe herë tjetri në avantazh.

Rezultati i ngushtë ka sjellë tensionimin e situatës në KZAZ-në e kësaj bashkie, ku është kërkuar ndërhyrja e policisë, për largimin e të gjithë personave pa mjet identifikimi.

Gazetari i Top Channel, Sali Juniku njofton se kryetari i KZAZ-së ka ndërprerë procesin e numërimit pa afat, deri kur të qetësohet situata.

Aktualisht, kandidati i APPD-së ka përmbysur disavantazhin e 31 votave dhe e sheh veten në avantazh me 27 vota.

Socialistët fajësojnë demokratët për tensionimin e situatës.

“Ka pasur momente tensioni të krijuara nga numëruesit e PD me pretendime të paqena për të bërë vota të pavlefshme edhe aty ku nuk ishin”, deklaroi deputeti socialist, Ulsi Manja.

Por demokratët kanë një tjetër version. Sipas tyre, situata u tensionua nga jashtë grupeve të numërimit.

“Një nga vëzhguesit këtu në panelin e numërimit, u sul për të kapur një fletë votimi dhe krijoi një rrëmujë në procesin e numërimit. PD është në avantazh dhe nuk lejon që të manipulohet rezultati. Rrëmuja erdhi nga jashtë rrethit të numërimit. Numëruesit e PD kërkojnë korrektësi. Jemi në avantazh dhe vazhdojmë ta thellojmë këtë avantazh”, tha Sherefedin Shehu, deputet i Partisë Demokratike.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT