Telashe të mëdha për Ralf Rangnick, mund të mos e fitojë lejen e punës nga Federata e Futbollit të Anglisë

Nuk ka qenë një fillim i lehtë për Ralf Rangnick në Manchester United.Zëvendësuesi i Ole Gunnar Solskjaer ndodhet në Manchester që prej të hënës mbrëma, në izolim në një hotel në qytet, por nuk ka ende lejen e nevojshme të punës, përcjell GazetaBlic Sport.

Dhe procesi duket se nuk është i plotë. Sipas Daily Mail , FA (federata angleze) konsideron se 63-vjeçari gjerman nuk i plotëson kërkesat e nevojshme për të pasur një vizë pune, gjëja kryesore: të ketë qenë trajner i një klubi në një nga pesë kampionatet më të mira evropiane në pesë vitet e fundit.

Në 2018/19, Rangnick ishte në RB Leipzig, por si drejtor futbolli dhe jo trajner, kështu që ai nuk kualifikohet për të marrë automatikisht dokumentin. Së fundmi, Antonio Conte mori shpejt një vizë për të marrë Tottenhamin, pasi ai vinte nga dy sezone në Inter dhe më parë kishte qenë në Chelsea.

Thënë kështu, Rangnick do të duhet, në ditët në vijim, të bindë një juri prej pesë anëtarësh se ai ka cilësinë e nevojshme për të qenë një aset për futbollin anglez. Deri atëherë do të jetë Michael Carrick që do të marrë stolin nga Man United në një bazë të përkohshme.