Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me të shtënat e armëve të zjarrit para hyrjes së lokalit të natës “Duplex” në Prishtinë.

Katër persona kanë mbetur të lënduar nga rreth 15 të shtëna me armë zjarri, ndërsa Policia e Kosovës është në kërkim të personave që janë përfshirë në këtë rast, raporton Gazeta Sinjali.

Po ashtu Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, për Gazetën Sinjali ka konfirmuar se janë identifikuar personat e dyshuar si dhe janë konfiskuar tri armët e zjarrit që janë përdorur mëngjesin e ditës së sotme.

“Sot rreth  orës 02:00, policia  ka marrë informacionin se në rrugën Rinia në Prishtinë,  ka pasur të shtëna me armë zjarri”.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”.

“Në ketë rast katër persona kanë marre plagë nga arma e zjarrit dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Ndërkohë që policia ka identifikuar personat e dyshuar dhe është në kërkim të tyre. Nga njësitet policore në vendngjarje janë sekuestruar tri armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në ketë  rast”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovë.