Përfaqësuesit e listës “Guxo” në Ferizaj, kanë njoftuar se në zgjedhjet lokale do të garojnë vetëm, por me sloganin “Ne Guxojmë”.

Kjo tashmë është zyrtarizuar edhe në KQZ gjatë ditës.

“Të nderuar bashkëpunëtorë, aktivistë dhe votues të listës Guxo. Ju njoftojmë se sot kemi aplikuar në KQZ për regjistrim të iniciativës qytetare të cilën e kemi emërtuar “Ne guxojmë”, përmes së cilës do të garojmë në zgjedhjet komunale në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e listës “Guxo”.

Sipas tyre, me këtë emër do të garojnë në zgjedhje, “pasi që emrin ‘Guxo’ e ndaluan në KQZ ata që ‘nuk guxuan’ që me këtë emër të hyjnë në zgjedhjet lokale”.

“Deri te ky vendim ka ardhur pas kërkesave të shumta të anëtarësisë së gjerë dhe aktivistëve tonë, të cilët janë të vendosur ta vazhdojnë rrugën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe orientimin e djathtë politikë të trashëguar nga ai. Ne përkrahim fuqishëm kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani për punën e shkëlqyeshme që po e bëjnë, por asnjëherë nuk do t’i përkrahim deputetët apo ministrat, të cilët e braktisën elektoratin dhe premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore”, thuhet më tej në komunikatë.

Deri të kjo çarje e listës Guxo që para zgjedhjeve të 14 shkurtit u formua nga Vjosa Osmani, tash presidente e vendit, erdhi pasi anëtarët e saj në Ferizaj kërkuan që në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të garohet vetëm, e jo në koalicion me Vetëvendosjen, siç është vepruar në zgjedhjet e fundit qendrore.

Zyrtarë të listës Guxo, kanë paralajmëruar se edhe në zgjedhet lokale do të garohet në një listë me VV-në, gjë që nuk është pëlqyer nga anëtarët në Ferizaj, të cilët nga sot kanë krijuar iniciativën e tyre me emrin “Ne guxojmë”.