Të mërkurën nis integrimi i gjyqtarëve e prokurorëve serbë

Rekrutimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që do të shërbejnë në rajonin e Mitrovicës pritet të fillojë të mërkurën, shkruan sot Koha Ditore.
Vetëm formalisht shpallja publike për vendet e lira do të bëhet nga vendësit, ngaqë procesi i rekrutimit dhe verifikimit do të udhëhiqet nga misioni evropian, EULEX.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka konfirmuar për gazetën kohën kur do të bëhet shpallja.
“Më datën 25 mars presim të shpallet konkursi për gjyqtarë dhe prokurorë”, ka thënë ai, nëpërmjet një përgjigjeje të shkurtër elektronike. “Për shqiptarët nuk do të ketë konkurs, sepse vazhdojnë ata që kanë qenë, vetëm se zhvendosen ashtu siç jemi marrë vesh në Bruksel. Për aspekte të tjera që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e konkursit dhe për numrin e vendeve të lira vendos Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial”.
Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të 2008-s e deri tash, në veri të Mitrovicës dhe në tri komuna të tjera veriore të banuara me serbë – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan – “drejtësia” është bërë nga mekanizma të Serbisë që ilegalisht kanë funksionuar në Kosovë. Tek më 10 shkurt Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në këtë pjesë.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT