Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian pritet të rifillojë të enjten në Bruksel, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime jozyrtare në Prishtinë dhe Bruksel.

Pala kosovare ka shumë të ngjarë të përfaqësohet nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti. Në ndërkohë ende nuk ka konfirmim se kush do të jetë përfaqësuesi i Beogradit zyrtar.

Ky raund do të organizohet përpara se palët të udhëtojnë në Washington për të marrë pjesë në një proces negociator të ndërmjetësuar nga Emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Vazhdimi i dialogut në Bruksel pason vizitën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.

Lajçak tha në Prishtinë javën e kaluar se i di datat e dialogut, por se ai do t’i bënte publike ato pas konsultimit me palët. Ai pas bisedimeve me zyrtarët e lartë shtetërorë tha se askush nuk mund t’i ofrojë të ardhme evropiane Kosovës, pos BE-së, andaj sipas tij, blloku evropian nuk mund të lihet anash nga procesi i bisedimeve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me takimin e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, të thirrur nga i dërguari i SHBA-së Richard Grenell, Lajçak tha se ka dëgjuar për atë iniciativë “por, që ata nuk ishin këshilluar për të dhe nuk komentoj iniciativat e të tjerëve”.

Ndërkohë, shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe këshilltari i tij kryesor Bekim Çollaku ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e problemeve ekonomike, heqja e barrierave tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale do të jenë temat kryesore të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Washington të paralajmëruar për 27 qershor.

Lajçak të hënën po qëndron në Beograd ku është planifikuar të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Kjo raund i bisedimeve në Bruksel do të shënojë rifillimin zyrtar të dialogut i cili është pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të vendosjes së taksës prej 100 përqind të mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nga ish qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Taksa u shfuqizua më pas, sikurse edhe masat e reciprocitetit që u vendosën nga qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurtit./ REL