Të burgosurit e pavijonit 6 bojkotojnë punën, shkak ndalimi i vikendit

Të burgosurit në Qendrën Korrektuese të Dubravës janë duke bojkotuar punën që bëjnë brenda pavijoneve.

Dardan Lahu, njëri nga të burgosurit që dikur kishte dhënë një prononcim për Indeksonline, ku kishte rrëfyer gjendjen që kanë të  burgosurit brenda kësaj qendre, ka informuar përmes babait të tij, Safedin Lahu, se janë pikërisht të burgosurit e pavijonit me numër gjashtë, që po bojkotojnë punën.

Këta të fundit mos ushtrimin e punës janë duke e bërë  pasi u është ndaluar e drejta e vikendit, pra shkuarjes në shtëpi.

Madje siç mëson Indeksonline këta të fundit kanë bërë kërkesë edhe për kthimin e mundësisë së pajisjes me pakot ushqimore, siç janë pajisur për vite me radhë.

Por një gjë e tillë ishte vendosur me ndryshimin e Ligjit që të burgosurit nuk do të kenë mundësinë e marrjes së pakove ushqimore më në Qendrat Korretkuese ku ata qëndrojnë.

Ndër të tjerash babai i të burgosurit, Dardan Lahu, Safedini ka informuar se për arsye të dhënies së prononcimit për Indeksonline kohë më parë djalit të tij i është ndaluar e drejta e shkuarjes në shtëpi përgjatë vikendeve./Indeksonline/