Talenti shqiptar i futbollit që po kërkohet nga gjysma e Europës

Rei Manaj ka lindur në vitin 1997 në Lushnje dhe tetorin e kaluar ka firmosur kontratën e parë si profesionist me Cremonesen ku është lidhur për tre vjet.

Në fakt shumë pak ka për të qëndruar në këtë skuadër pasi drejt talentit shqiptar kanë hedhur sytë klubet më të mëdha nga Seria A ,Seria B apo edhe klubet evropiane. Manaj 18 vjeçar që luan si sulmues karrierën e ka nisur tek Cremonese ku mbërriti në vitin 2007 ndërsa vitin e kaluar ishte tek të rinjtë e Sampdorias ku madje është stërvitur edhe me të rriturit që drejtohen nga Mihajlovic.

Gjithsesi Manaj u rikthye tek Cremonese por tashmë në skuadrën e parë. Pavarësisht moshës së re Rei Manaj aktivizohet tek Kombëtarja U-21 e drejtuar nga Skënder Gega madje ka shënuar edhe gol në ndeshjen e parë kualifikuese.

Talenti shqiptar është një sulmues I vërtetë,edhe pse ka një shtatlartësi 185 cm ai gëzon edhe një teknikë mjaft të mirë dhe ka një dribling mbreslënës. E vetmja e metë e Manaj është në karakter.

Djaloshi tregohet shpeshherë gjaknxehtë dhe ka marrë edhe ndonjë karton të kuq. Gjithsesi është vetëm 18 vjeç dhe mund të maturohet edhe më shumë.

Që në nëntor drejtori sportiv I skuadrës Cremonese foli për skuadra nga Seria A që interesoheshin për Manaj si Juventusi ,Palermo,Roma, Lazio dhe Fiorentina. Por për djaloshin shqiptar ka interes edhe nga skuadra evropiane siç është Atletico Madrid apo edhe Southampton. Ndjesia është se talenti shqiptar Rei Manaj do shpërthejë në nivele të mëdha dhe do të jetë e ardhmja e Kombëtares kuqezi.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT