Taksë 10 euro për të hyrë në Prishtinë, kështu reagon Ramiz Lladrovci

Kryetarët e komunave të Kosovës po e konsiderojnë të pa bazë propozimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për të vendosur taksë prej 10 eurove për veturat që hyjnë në kryeqytet. Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Lladrovci për Express ka thënë se për të marrë këtë taksë, komuna e Prishtinës duhet të ofrojë kushte që e arsyetojnë këtë pagesë.

“Para se të kërkoj dikush taksa për një shërbim, duhet të ofroj kushte. Prishtina është kryeqendra jonë, duhet të ofroj më së shumti mundësi, edhe të parkimit, edhe të sigurisë, në veçanti mobilitetin i cili mungon. Pra, për të marrë këtë taksë, duhet ofruar shumë kushte të cilat e arsyetojnë atë. Aktualisht, me gjendjen që është dhe punën që bëhet në Prishtinë rreth kushteve për jetë, nuk e vlerësoj në asnjë rast as se ka bazë e as vend për taksë parkingu. Ndryshe, do të ketë një reagim të cilit nuk i dihet fundi e as përgjigja nga komunat tjera”, ka thënë Lladrovci.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, tha se askujt nuk i mohohet e drejta për të hyrë me veturë brenda Prishtinës, por se për ta shfrytëzuar këtë të drejtë duhet të paguhet taksa e gjelbër.

Ajo siç tha Selimi është planifikuar të jetë 10 euro, ani pse ende nuk është marrë vendim përfundimtar.

Tutje Selimi deklaroi se kjo do të mundësojë që të krijohet një ambient më i pastër, kur dihet se në muajt e dimrit, Prishtina renditet në mesin e vendeve më të ndotura në botë, e njëri nga ndotësit janë edhe veturat.

“Çdo kush që vjen nga Peja, Gjakova, Klina, Drenica, ka të drejtë dhe mund të hyjë në Prishtinë, vetëm se për këtë duhet ta paguajë taksën e gjelbër, duhet të paguajë 10 euro. Kjo ende nuk është vendosur por është menduar kështu”, theksoi Selimi.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT