Takohen Veseli dhe Edita Tahiri

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është pritur sot në takim nga Kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme politike në vend dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional në angazhimet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ministrja Tahiri tha se përmes dialogut po fuqizohet shtetësia e Kosovës ku po shuhen strukturat paralele dhe po shtrihet sovraniteti në tërë territorin e vendit. Ajo shtoi se Kosova po dëshmon se është një faktor paqeje dhe fqinjësie të mirë në rajon dhe po avancon ardhmërinë e saj euroatlantike, çka dëshmohet edhe me faktin se hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave, janë padyshim edhe kontribute të këtij dialogu të Brukselit.

Në këtë takim ministrja Edita Tahiri po ashtu u angazhua për një koordinim më të madh ndërinstitucional ku roli i Parlamentit është i pazëvendësueshëm në krijimin e konsensusit politik për çështjet e interesave të mëdha të vendit dhe në veçanti për agjendën euroatlantike. Ajo theksoi se Kosova ka një traditë të mirë në ndërtimin e konsensusit politik për qëllimet madhore të demonstruar që nga periudha e luftës për liri dhe tani në proceset e shtetëndërtimit dhe se kjo traditë na bënë të fuqishëm në tejkalimin e sfidave.

Nga ana e tij, kryeparlamentari Veseli shprehu kënaqësinë për takimin dhe siguroi bashkëpunimin e vazhdueshëm për çështjet e forcimit të shtetit, demokracisë, ekonomisë, sundimit të ligjit dhe forcimit të mëtejmë të pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Ai tha se dialogu është instrument i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore dhe për avancimin e integrimit të Kosovës në kuadër të Bashkimit Evropian dhe euro-atlantik.

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT