Tahiri: Po punojmë së bashku me BE-në, ju sigurojmë se nuk do të ketë mur në Mitrovicë

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, ka bërë me dije sot, se Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për të zgjidhur problemin e krijuar në Mitrovicë ku është ndërtuar një mur ilegal duke cenuar lëvizjen e lirë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.

Ministrja Edita Tahiri ka thënë se po punojmë së bashku me Bashkimin Evropian për zgjidhjen e këtij problemi dhe ju sigurojmë se nuk do të ketë mur në qytetin Mitrovicës, ky mur do të hiqet dhe i gjithë procesi i revitalizimit të urës dhe rrugës për këmbësor në anën veriore të qytetit do të realizohet në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit.

Siç jeni të njoftuar, Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe Plani për revitalizimin e urës së Ibrit që është nënshkruar më 25 gusht 2015 në Bruksel parasheh heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës nga ana e BE-së si dhe revitalizimin e rrugës kryesore të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës që sipas marrëveshjes do të jetë rrugë për këmbësor (shëtitore) që është kompetencë e komunës,  sipas ligjeve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës konsideron se ndërtimi i këtij muri ilegal është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit të datës 25 gusht 2015.

Në lidhje me këtë zhvillim ilegal nuk kemi pasur njohuri përveç në momentin kur është shfaqur ky mur ilegal në mbrëmjen e 6 dhjetor 2016. Pas komunikimit të menjëhershëm me Bashkimin Evropian për të ngritur shqetësimet e shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ata po ashtu kanë konfirmuar të njëjtën, se nuk kanë pasur njohuri dhe se një mur i tillë është jashtë Marrëveshjes së Brukselit

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masat ligjore për ndaljen e punimeve të cilat edhe janë ndalur që nga data 7 dhjetor 2016, kur është nxjerrë vendimi i Qeverisë së Kosovës përkatësisht i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i cili i është dërguar autoriteteve lokale të Komunës. Po ashtu MMPH vazhdimisht po bënë monitorimin e situatës përmes inspektorëve të vet zyrtar. Në të njëjtën kohë Policia e Kosovës është e angazhuar plotësisht për të ruajtur rendin dhe qetësinë duke marrë parasysh pakënaqësinë legjitime të qytetarëve për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe frikën nga skenarët djallëzor të Serbisë.

Qeveria e Kosovës siguron qytetarët se po punon maksimalisht së bashku me partnerët ndërkombëtar, Bashkimin Evropian, për zgjidhjen e këtij problemi. Ju sigurojmë se nuk do të ketë mur dhe që procesi i revitalizimit të urës së Ibrit dhe rruga për këmbësor në formën e shëtitores do të jetë plotësisht sipas Marrëveshjes së Brukselit. Ne jemi të vendosur për këtë çështje, do ta zgjidhim, mirëpo dëshirojmë të theksojmë se do ta zgjidhim me kujdesin më të madh duke marrë parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështje, por gjithnjë sipas ligjeve të Kosovës dhe duke respektuar Marrëveshjen e Brukselit. Koha e mureve, kjo dukuri negative, nuk do të lejohet në shtetin tonë i cili në kushtetutën e vet ka vendosur themelet e shtetit demokratik, të lirive themelore dhe lëvizjes së lirë, të cilat askush nuk mund t’i cenojë.

Qeveria e Kosovës ka arritur që deri tani t’i heq të gjitha barrikadat në veri të vendit, që kanë qenë mbi njëzetë sosh dhe po ashtu hoqëm edhe barrikadën nga ura e lumit Ibër, duke falënderuar dialogun e Brukselit dhe qëndrimin tonë konsekuent në këtë proces. Prandaj, edhe këtë problem do të zgjidhim, pa mure dhe pa vonesa, ka thënë ministrja Tahiri.