Tahiri: Është e pafalshme të dëmtohen kontribuesit e UÇK-së

Njohësi i çështjeve politike, Mentor Tahiri, në një bisedë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku disa prej ish luftëtarëve të UÇK-së ju ka refuzuar statusi i veteranit përkundër faktit se ata i kanë librezat e veteranëve të lëshuar nga organizatat e veteranëve të luftës.
Tahiri thotë se, lufta e një populli, duhet kuptuar në të gjitha aspektet që vënë relacione mes ushtrisë dhe kontributit të individit.
Sipas tij, të jesh pjesëmarrës në ushtri, nuk do të thotë se patjetër duhet të jesh nën armë.
“Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kapacitete të caktuara të efektivave kanë qenë të ngarkuar me një varg punësh ku nuk është kërkuar të jesh nën armë, duke u nisur këtu nga logjistika, furnizimi e deri tek përgatitja e ushqimit për ushtarët. Mendoj se pikërisht duke nënkuptuar strikt rolin e ushtarit, pa trajtuar edhe ata që kishin angazhime të posaçme, po krijohet një hapësirë e mundshme e diskriminimit potencial. Por ky nuk është i vetmi faktorë”, thotë Tahiri.
Ai thekson se, sigurisht, sa i përket definimit të saktë të statusit të veteranit të UÇK-së dhe kategorive tjera, paqartësi të caktuara janë krijuar edhe si produkt i faktorit kohë.
“Kanë kaluar gati 16 vite nga përfundimi i luftës, kurse gjatë gjithë kësaj kohe jeta shoqërore është zhvilluar edhe mbi disa baza që kanë rrënjën në luftë. Potencialisht disa aspekte në lidhje me luftën edhe mund të jenë keqpërdorur në ndërkohë nga individë që nuk dihet nëse kanë qenë në luftë apo jo, për të siguruar privilegje të caktuara apo edhe prestigj në shoqëri”, vlerëson ai.
Tahiri thotë se, duhet të kemi parasysh, se UÇK-ja ka zhvilluar luftën për çlirimin e vendit, në rrethana të një okupimi klasik, i cili ka pamundësuar një zhvillim normal të ushtrisë në kuptimin e mobilizimit dhe vet procesit të regrutimit.
“Shumica e vendbanimeve dhe të gjitha qytetet ishin nën kontrollin e okupatorit deri në qershor 1999. Në jo pak raste, luftëtarët kanë lënë familjet në zona të okupuara, andaj edhe të figuruarit në regjistrat e kohës ka qenë jo rrallë herë i kamufluar. Në vend të emrit të vërtetë, është përdorur nofka e luftës, që është normale në kushte të okupimit”, shton ai.
Më tej ai thotë se, tani, shoqëria kosovare i është kthyer kësaj çështjeje nga pika zero.
“Nuk dua të komentoj nëse procesi ka qenë plotësisht transparent apo jo, ngase mund të ketë arsye të llojllojshme për shkallën e transparencës së përdorur. Aty ku vepron dhëmbi i kohës, vijnë në shprehje dëshmi të ndryshme, si fotografitë, librezat, etj. Kam frikën se procesi i identifikimit se kush ka qenë i kyçur në luftë e kush jo, ka dalë pak nga binarët institucional”, vlerëson ai.
Ai thotë se, janë komisionet ato që duhet të vendosin, kurse dëshmitë e individëve është e nevojshme të trajtohen me shumë kujdes konformë fakteve të ofruara.
“Unë besoj se kjo shoqëri ka mjaftueshëm vlera morale, në mënyrë që të mos dëmtohen kontribuuesit e vërtetë në UÇK, ngase do të ishte e pafalshme dhe tutje do të krijonte bazë për pabarazi sociale”, thotë njohësi i çështjeve politike Mentor Tahiri./BptaSot/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT