Tahiri: Asociacioni nuk formohet pa zbatim të marrëveshjeve

Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri në një prononcim për “Zërin”, ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të ndodhë vetëm pas zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, ku përfshihen edhe marrëveshja për drejtësinë, shuarja e “Mbrojtjes Civile” e çështje tjera. Tahiri ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve serbë rreth formimit të këtij asociacioni si dhe për takimin e radhës në Bruksel. “Kjo çështje duhet të pres, derisa të zbatohen marrëveshjet nga marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013 si dhe të mbyllen edhe disa çështje tjera nga kjo marrëveshje. Duhet zbatohet plotësisht marrëveshja e drejtësisë, me të cilën Kosova do të shtrij sovranitetin e saj edhe në pjesën veriore, sa i përket sistemit unik të drejtësisë. Pastaj duhet të shuhet “Mbrojtja Civile” dhe integrimi i ish-pjesëtarëve të saj në institucionet e shtetit të Kosovës dhe pastaj duhet të hiqen barrikadat, për të cilat është duke punuar Bashkimi Evropian”, ka shtuar Tahiri duke thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të funksionoj në kuadër të ligjeve ekzistuese në vend, ashtu siç funksionon Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ministrja, Tahiri ka thënë se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, e as mbikëqyrëse. Tahiri ka thënë se Beogradi po tenton që të vëj nën hije ngecjet e saj në zbatimin marrëveshjeve të Brukselit. Ky vlerësim i ministres kosovare ka ardh pas deklaratës së drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se të mërkurën të gjitha komunat serbe në Kosovë do të mbajnë takim të përbashkët dhe nga kjo ditë këto komuna do të veprojnë të unifikuara. Madje, ajo deklaratën e Gjuriqit e ka cilësuar edhe si shkelje e marrëveshjes së Brukselit. “Mendoj që këto deklarata bëhen për të anashkaluar obligimet e Serbisë në raport me zbatimin e marrëveshjeve. Meqenëse Serbia ka ngecje të madhe në disa marrëveshjeve të rëndësishme, atëherë përmes këtyre deklarimeve publike mundohet që të vëj në hije dështimet e saj në zbatimin marrëveshjeve. Por Bashkimi Evropian është i njoftuar me ngecjet e Serbisë, sepse ne vazhdimisht e kemi njoftuar. Kjo deklaratë tregon edhe një shkelje të marrëveshjes së Brukselit”, është shprehur Tahiri, duke thënë se Serbia po i bllokon vetes rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian përmes moszbatimit të këtyre marrëveshjeve. Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik, Edita Tahiri ka folur edhe për takimin e radhës. “Tani jemi duke e përgatitur marrëveshjen për zbatim për çështjen e shuarjes së “Mbrojtjes Civile”. Bisedimet kanë përparuar në këtë drejtim.Tashe dy vite po bisedohet për këtë proces, pra për hartimin e një plani për zbatim apo të një marrëveshje për zbatim. Mund të ndodhë që para vizitës së Mogherinit në Kosovë të arrihet kjo marrëveshje”, ka përfunduar Tahiri. Vlen të theksohet se udhëheqësja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini viziton Kosovën më 25 mars.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT