Greg Draper, sulmuesi i rrezikshëm i The New Saints, kundërshtarit të ardhshëm të Feronikelit në Champions League e ka “kërcënuar” ekipin kosovar, të cilit synon t’i shënojë gol dhe ta eliminojë nga ky kompeticion. Dy skuadrat do të përballen nesër mbrëma në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues.

Feronikeli do ta zhvillojë nesër mbrëma ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të Champions Leagues ndaj ekipit The New Saints, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi i ekipit uellsian, Greg Draper e ka “kërcënuar” kampionin e Kosovës, ndaj të cilit synon të shënojë gol dhe ta eliminojë nga Championsi.

Ai ka shkëlqyer në Premierligën uellsiane sezonin e fundit duke realizuar 27 gola, me një mesatare prej 38 minutash për gol, që i bie se kishte statistika më të mira se Lionel Messi, Cristiano Ronaldo e Mohamed Salah.

Mirëpo, atij nuk po ia do në garat evropiane dhe ky problem po e shqetëson.

Sidoqoftë, Draper beson se do të zhbllokohet qysh në ndeshjen e nesërme me Feronikelin.

“Është ndoshta një gjë me të cilën jam i dëshpëruar për periudhën time në këtë ekip, fakti se nuk po shënoj gola evropianë. Prandaj, në sezonin e ri ky është synimi im kryesor, të shënoj sa më shumë gola në Evropë dhe ta ndihmoj ekipin që të shkojë përpara”, u shpreh Draper.

Në tetë sezonet e tij në TNS, Draper i ka fituar tetë medalje të Premierligës uellsiane, e ka fituar Kupën e Uellsit pesë herë, Kupën e Ligës katër herë dhe është shpallur dy herë golashënuesi më i mirë i sezonit.

Tash, fokusi totalisht do të jetë në garat evropiane.

“Evropa është ajo për të cilën luajmë gjatë tërë vitit. Është e qartë që ta fitojmë ligën është e bukur, por ne e dimë se duke e fituar titullin mund t’i shijojmë netët e Champions Leagues”, ka përfunduar Draper.

Fituesi i duelit ndërmjet Feronikelit dhe TNS-së do të luajë në rrethin e dytë kualifikues të Championsit me ekipin FC Copenhagen.

Kurse, ekipi humbës do t’i vazhdojë garat në rrethin e dytë kualifikues të Europa Leagues. /Gazeta Express/