Sulmohet një polic në veri të Mitrovicës

Disa persona kanë sulmuar patrullën e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, ndërsa si pasojë e plagëve një polic është duke u trajtuar në spitalin e veriut të këtij qyteti.
Sipas burimeve të Kosovapressit, polici i lënduar është Miqo Vakic, ndërsa dyshohet se është sulmuar nga Dejan Jovanoviq, rreth 45 vjeçar dhe i njohur për policinë.
“Derisa automjeti i policisë ishte duke lëvizur në kolonë me shpejtësi të vogël, disa persona kanë dal nga kafiteria Vozhd dhe kanë hapur derën e automjetit të policisë, ndërsa njëri prej tyre ka grushtuar policin në fjalë, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe fytyrë”, kanë thënë burimet.
Në anën tjetër, zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar për sulmin ndaj policit, por në një version ndryshe.
Sipas tij, sulmuesi i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit, ka shkaktuar një aksident trafiku para kafiterisë Vozhd në veri të Mitrovicës, dhe kur policia e kanë marrë në automjetin e tyre për ta dërguar për intervistim në polici, ai brenda automjetit dhe në gjendje të dehur ka sulmuar me grushte policin, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë dhe kokë.
Hoti tha se sulmuesi është arrestuar dhe ndodhet në stacionin policor të veriut të Mitrovicës, ndërsa nuk ka përmendur emra.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT