Sulmi i mbrëmshëm në Stamboll la të vdekur 29 dhe 166 të plagosur

Turqia është në zi! Turqia ka provuar përsëri të goditet nga terrori, të goditet nga shpërthimet terroriste!

Stambolli është goditur sërish, e përsëri në zemër të tij! Pas Sulltanahmetit, “Istiklal Caddesi”-së, është goditur një tjetër pikë nevralgjike e metropolit.

Pranë stadiumit “Vodafone Arena” të Beshiktashit, pak pasi kishte mbaruar një ndeshje futbolli, dy shpërthime terroriste u morën jetën dhjetëra personave dhe plagosën qindra të tjerë. E tëra ndodhi në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës, në 22:29, në një zonë me hotele luksoze e me një trafik të jashtëzakonshëm.

Në fillim u raportua vetëm për të plagosur nga ministri i Brendshëm i Turqisë, me bilancin që u bë tragjik ndërsa orët kalonin. Një bilanc i bërë i njohur në orët e para të së dielës. 29 janë më së paku të vrarët nga shpërthimet terroriste; aktet mizore u ndërprenë jetën 27 punonjësve të policisë e dy civilëve. Të plagosurit janë shumë më tepër: së paku 166, gjashtë prej të cilëve në gjendje të rëndë!

Një kamikaz hodhi veten në erë në parkun Maçka, e një tjetër shpërthim ngjau në një rrugë aty pranë. Shpërthimet u kryen në një interval prej 45 sekondash mes tyre; zhurma u dëgjua në shumë pjesë të Stambollit, nga Taksimi në Yskydar. Dhjetë janë të ndaluarit deri tani për sulmet terroriste.

Kryeministri i vendit, Binali Jëlldërëm shpalli një ditë zie kombëtare, e urdhëroi uljen e flamujve në gjysmështize.

Terroristët e PKK-së, ISIS-it dhe FETÖ-s e vënë në shenjë Turqinë për të njëjtin qëllim, thuhej në deklaratën e shkruar të presidentit Erdogan. Turqia është e vetme në luftën kundër terrorit, lexohej në atë deklaratë, por nuk do të dorëzohet e do ta marrë veten sa më shpejt të jetë e mundur. /tesheshi.com/