Strugë, ulet numri i nxënësve shqiptarë

Gjendja me numrin e nxënësve të rinj të regjistruar në gjimnazin e Strugës, Ibrahim Temo, është alarmuese, thotë drejtori Xheladin Muça. Ai për Alsat M thotë se këtë vit shkollor për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve do të ketë të paktën një paralele më pak në gjuhën shqipe. Sipas programit të shkollës, për vitin e parë janë paraparë shtatë paralele në gjuhën shqipe, katër në maqedonisht dhe një në gjuhën turke.

Zvogëlimi i numrit të nxënësve shqiptarë në Strugë është si pasojë e shpërnguljes së familjeve strugave jashtë vendit për shkak të mungesës së perspektivës, thotë Surija Rushiti, udhëheqës i sektorit të arsimit në komunën e Strugës. Nga ana tjetër, drejtori Muça thotë se nëse nuk përmirësohet kjo gjendje, negativisht do të reflektojë edhe ndaj punës së shkollës dhe kuadrit arsimor.

Në shkollën e mesme, Niko Nestor, situata është pak më e mirë, por edhe atje në disa drejtime nuk është regjistruar asnjë nxënës. Megjithatë, drejtori thotë se këtë vit ka rritje të butë të numrit të nxënësve të paraqitur.

“Në paralelet në gjuhën shqipe në drejtimet Teknik i tekstilit nuk është regjistruar asnjë nxënës. Gjithashtu edhe në drejtimin teknik i gjeodezisë nuk është regjistruar asnjë. Për Teknik të ekonomisë me mësim në gjuhën maqedonishte numri është plotësuar që në afatin e parë, me mësim në gjuhën shqipe ka 35 nxënës nga gjithsej 68 që janë paraparë të pranohen. Është fakt se në nivel të komunës së Strugës, çdo vit kemi nga 60 deri 100 nxënës më pak”, theksoi Nikolla Zaoturoski, drejtor i SH.M Niko Nestor.

Rushiti pohoi se numri i nxënësve të paraqitur dhe të regjistruar në shkollat e mesme në Strugë është më i vogël. Ai tha se në të dyja afatet e regjistrimit në Ibrahim Temo janë regjistruar vetëm 124 nxënës nga gjithsej 284 sa është paraparë të pranohen. Kompetentët në Strugë shpresojnë se në afatin e tretë të regjistrimit, ndoshta do të zbutet gjendja e tanishme, por zvogëlimi i numrit të nxënësve është e dhënë shqetësuese.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT