Steinmeier: Gjykata Speciale i bën favor Kosovës dhe gjeneratave të reja

Ministri gjerman, Frank Walter-Steinmeier tha se Kosova me themelimin e Gjykatës Speciale i bën favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja.

Sipas tij, me këtë Gjykatë do të sqarohen të gjitha çështjet e mbetura pezull.

“Ballafaqimi me të kaluarën është baza për atë që njeriu të jetë i vetëdijshëm dhe të lëviz përpara për të ardhmen e tij. Ne jemi të lumtur që Gjykata Speciale po themelohet dhe ky është lajm i mirë”, tha ministri gjerman.

Isa Mustafa: Gjermania të na ndihmoi në liberalizimin e vizave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa pas takimit me shefin e diplomacisë gjermane, Frank Walter-Steinmeier tha se e ka njoftuar ministrin gjerman për prioritetet që i ka përcaktuar qeveria sipas programit të saj dhe që kanë të bëjnë me zhvillimin, ekonomik, forcimin e ligjit, punësimin dhe luftën kundër korrupsionit.

“Po ashtu e njoftova ministrin për përkushtimin tonë në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe përmbushjen e të gjitha kritereve duke kërkuar edhe mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera integruese”, tha kryeministri Mustafa.

Ai tutje tha se mysafirin nga Gjermania e ka njoftuar edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet.

“Ne folëm edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura duke theksuar se pa implementimin e atyre që janë arritur nuk ka ecje përpara dhe arritjen e marrëveshjeve të reja për kodin telefonik, telekomunikacionin, etj”, shtoi shefi i ekzekutivizit kosovar.

Mustafa po ashtu tha se Kosova do të jetë pjesë e partneritetit kundër terrorizimit dhe ekstremizmit aty ku paraqitet, derisa ka shtuar se është arritur edhe ndalja e emigracionit ilegal që kishte marrë hov muajve të kaluar.

“Ne jemi të gatshëm që të pranojmë të gjithë atë që ilegalisht kanë emigruar në Gjermani dhe vendet tjera”, tha në fund Mustafa. /Indeksonline/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT