Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) ka organizuar një protestë që do të zhvillohet sot në të gjitha komunat e Kosovës. Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave të Kosovës janë vetëm disa prej pikave të cilat e kanë shtyer KNK’në të marrin një hap të tillë.
Rreth këtij organizimi, Gazeta Metro ka kontaktuar KNK’në dhe ka zhvilluar bisedë me Elion Ademin, njërin nga përfaqësuesit e këtij Këshilli.
“Këshilli i Nxënësve të Kosovës ka bërë një hulumtim nëpër shkollat e mesme të Kosovës dhe bazuar në rezultatet e këtij hulumtimi që s’kanë qenë fare të mira, ne kemi marrë motivin për të bërë këtë marsh avokues”, ka thënë Ademi për Gazetën Metro.
Të dhënat e KNK’së nga ky hulumtim kanë shpërfaqur shifra shqetësuese në lidhje me dukuritë negative që ndodhin në shkollat tona.
34,4% e nxënësve, sipas këtij hulumtimi, kanë raportuar që në shkollën e tyre ka mësimdhënës që ngacmojnë seksualisht nxënësit, ndërsa 27,9% kanë thënë se në shkollat ku ata vijojnë mësimin ka mësimdhënës që i godasin nxënësit.
Më tej, Gazeta Metro pyeti KNK’në edhe për pritjet e tyre për protestën dhe kërkesat që nxënësit kanë për organet përkatëse arsimore.
“Të gjitha shkollat e mesme të Kosovës i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për protestë, pra kemi pritje që protesta të shtrihet në të gjitha 29 komunat në të cilat kemi paralajmëruar”, tha më tej Ademi.
“Ne jemi kundër të gjitha fenomeneve që ndodhin jo në të mirë të nxënësve. Kërkesa jonë është që të kemi cilësi dhe reforma në arsim dhe që të mos merren vendime për neve, pa neve”, përfundoi për Gazetën Metro, Elion Ademi nga KNK’ja.
Ky organizim është thirrur për datën 19 prill, nën slloganin “S’PO SHKOHET N’SHKOLLË”. Marshi i nxënësve, që për qëllim ka kthimin e vëmendjes te arsimi, pritet të mbahet në 29 komuna të Kosovës, por me orare të ndryshme./gazetametro.net