Spikerja e famshme e ekraneve televizive në Shqipëri, Enki Braçcaj, i ka bërë një kërkesë interesante Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.

Për “Panorama Plus”, ajo zbulon detaje nga puna e saj ende pa gdhirë, si reagojnë kalimtarët, konkurrencën me vajzat e tjera të ekranit, pyetjet që do t’u bënte Edi Ramës dhe Erion Veliajt për metropolin që ajo zbulon përditë, dashurinë dhe martesën…

Si shkoi projekti i verës në “Youtube”, “Realiteti sipas Enkit”? Theve ndonjë tabu në thënien e të vërtetave pa doreza?

Enki Braçaj: U prit mirë, gjë që unë nuk e prisja. Pati nga ata ose ato që s’u erdhi mirë, se ndoshta gjenin veten. Por do ta filloj shumë shpejt prapë, sepse s’kam pas kohën e mjaftueshme të merrem, duke qenë se është impenjim më vete. Sa për tabu, tani ia kam marrë dorën e s’më bën përshtypje.

Ndërkohë çdo mëngjes shfaqesh në “Aldo morning show”. A është kjo puna më e bukur që mund të bëje?

Enki Braçaj: Unë tek emisioni i mëngjesit kënaqem shumë. Kam atë lirinë e të shprehurit si unë dua dhe nuk më kufizon askush, gjë kjo që më jep komoditet. S’di të them më e bukur, më e mirë, por për momentin jam shumë mirë.

Është torturuese të zgjohesh çdo mëngjes aq herët? Të kufizon për jetën e një vajze të re?

Enki Braçaj: Sigurisht që alarmi në orën 06:00 nga e hëna në të shtunë është shumë i vështirë, por 5 minutat e para janë të vështira, pastaj mësohesh. Sigurisht që zgjimi dhe puna në televizion aq herët më kufizon në jetën time, pasi ditët që jam në punë, maksimumi deri në 22:00 mund të qëndroj me miqtë e mi, pasi më duhet të fle. Miqtë dhe familjarët sa herë që organizojnë darka, llogarisin edhe orën e ikjes sime.

Nëse do të dilte Kryeministri Edi Rama apo kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, në rrugët e Tiranës, ç’pyetje ngacmuese do t’u bëje?

Enki Braçaj: Lali Erit nuk do t’i bëja asnjë pyetje, pasi e di që nuk do merrja përgjigje të sinqertë. Por sigurisht do ta këshilloja që të mos e shikonte Tiranën vetëm nga videot e tij me dron, po mjafton që të dalë në rrugët kryesore dhe të marrë një fletore për të shënuar problemet (ndonjë bllok të trashë madje, se janë shumë probleme). Ndërsa Skënderbeun do ta pyesja nëse mund të më marrë në punë tek ERTV, se kam dëgjuar që paguhen mirë.

Po djemtë, si reagojnë kur të shohin në rrugë mëngjeseve? Të bëjnë komente të tipit “Sa sexy je”?

Enki Braçaj: Përgjithësisht shumë të buzëqeshur dhe me fjalë të tipit “sa e mirë, sa e bukur apo e këndshme”. “Sa sexy”, ndoshta e thonë me vete.