Speciale: Rrënjët e Serbisë në Kosovë (FOTO)

Serbia ka lëshuar rrënjë në Kosovë. Federata e Futbollit e Serbisë po vazhdon të zhvillojë aktivitete ilegale në vendin tonë përmes 24 klubeve të serbëve të këtushëm. Këto të fundit vazhdojnë të mos e bëjnë hesap Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila assesi nuk po arrin t’i inkuadrojë nën ombrellën e saj. Problemi është aq i madh, saqë këto klube bashkë me Federatën serbe po i shkelin edhe rregulloret e UEFA-s dhe të FIFA-s, e lëre më statusin e Kosovës

Edhe pas shtatë vjetësh të bërjes shtet të Kosovës, Serbia vazhdon “të lodrojë” në vendin tonë. Beogradi zyrtar gjithnjë mundohet ta shfrytëzojë maksimalisht edhe futbollin, nëpërmjet së cilit mbetet prezent në shtetin tonë, ani pse në shumë sfera të tjera Kosova dhe Serbia i kanë ndarë “dhentë prej dhive”, shkruan sot gazeta Zëri. Por, duke e marrë parasysh ndikimin e futbollit si sporti më i popullarizuar në planet, veprimet serbe në Kosovë vërtet janë alarmuese, ani pse shumica e autoritete vendore e ndërkombëtare edhe sot i mbyllin sytë karshi këtij problemi shumë serioz.

Është Federata Serbe e Futbollit (FSS) ajo e cila e vazhdon aktivitetin e vet edhe në Kosovë, pa e pyetur askënd e pa u penguar nga askush, duke e cenuar kështu edhe statusin e Kosovës, e cila është e pavarur nga shkurti i vitit 2008.

Janë plot 25 skuadra serbe që veprojnë në vendin tonë, por që janë të regjistruara në FSS, e që nuk e bëjnë hesap Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), as tani kur shtëpia e futbollit kosovar shihet në prag të inkuadrimit në UEFA dhe FIFA.

Derisa FSS-ja organizon gara pa pikë problemi në Kosovë, FFK-ja është totalisht e pafuqishme për ta parandaluar këtë fenomen, i cili bie ndesh edhe me rregulloret e UEFA-s e të FIFA-s. E në këtë drejtim FFK-ja nuk ka as mbështetje të institucioneve tjera më të larta shtetërore të Kosovës.

Klubet e serbëve të Kosovës janë shumë injoruese karshi përpjekjeve të FFK-së për t’i inkuadruar në garat e saj, pasi ndihen shumë më të afërta me “vëllezërit” e tyre nga Serbia.

Kjo vërehet prej “aeroplanit”, pasi ato i kanë vizituar gjigantët si Partizani e Crvena Zvezda, që luajti së fundmi si mysafir i FK Graçanica, ndërsa në Kosovë ka pasur raste kur janë zhvilluar edhe ndeshje të Kupës shtetërore të Serbisë.

Drejtuesit e FFK-së ishin takuar me ata të FSS-së në fund të vitit 2013, me ndërmjetësimin e presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, me ç’rast ishte arritur pajtueshmëria që FFK-ja t’i integrojë klubet serbe në futbollin kosovar. Mirëpo, deri më tash nuk ka pasur pikë suksesi, madje gjendja është përkeqësuar, sepse sot vetëm një gjyqtar i përfaqëson serbët në futbollin kosovar, raporton Zëri.

Madje, as nënkryetari i FFK-së, Predrag Jovic, nga nacionaliteti serb, nuk ka bërë asgjë deri më tash, duke dështuar totalisht t’i afrojë klubet serbe me futbollin kosovar, ani pse shumë moti pozita e një nënkryetari të FFK-së është i rezervuar për një serb.

24 skuadra serbe në Kosovë

Ligat rajonale në Kosovë janë formuar nga klubet serbe që veprojnë në Kosovë, të cilat nuk e njohin Federatën e Futbollit të Kosovës, por vetëm atë të Serbisë.

Ligat janë krijuar nga katër komunat serbe në Kosovë si Leposaviçi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica e Veriut. Momentalisht në Kosovë veprojnë 24 skuadra serbe, të cilat janë të ndara në tri grupe, që i përbëjnë 22 ekipe, ndërsa dy të tjera, Trepça dhe Mokra Gora, garojnë në një rang më të lartë garash, përkatësisht në Ligën e katërt të futbollit serb – Morava Zone League.

ImageAsnjë klub serb në futbollin kosovar

Klubet serbe janë totalisht të painteresuara për t’iu bashkuar futbollit kosovar. Pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë shprehur asnjëherë gatishmëri për të luajtur nën ombrellën e FFK-së, ndërsa edhe ato pak që ishin, kohë pas kohe, janë tërhequr përfundimisht: disa prej tyre janë shuar e të tjera i janë bashkuar Ligës serbe, ku edhe ndihen edhe më rehat.

FFK-ja edhe pse ishte munduar t’i afronte klubet serbe, posaçërisht për të marrë pluse në UEFA e FIFA, është treguar krejtësisht e pasuksesshme në këtë drejtim, pasi këto klube nuk e njohin këtë institucion. Drejtuesit e futbollit kosovar nuk janë treguar të gatshëm të diskutojnë për këtë çështje.

Sokoli: Klube me qëllime politike

Eksperti i futbollit, Bylbyl Sokoli, mendon se Serbia i ka themeluar këto klube me qëllime politike. Sipas tij, mosafrimi i tyre me futbollin kosovar nuk duhet të konsiderohet si shqetësues, pasi mendon se futbolli kosovar duhet të shikojë përpara, me ose pa to. “Zhvillimet politike kanë bërë që të krijohen këto ndasi. Ekzistimi i këtyre klubeve mendoj se ka qëllime politike e jo karakter sportiv. Do të varet shumë nga zhvillimet politike. Mirëpo, ne duhet ta respektojmë Kushtetutën, të shikojmë përpara drejt pranimit në UEFA dhe në FIFA, ta krijojmë një ligë të përbashkët me Shqipërinë, dhe të mos merremi shumë me këto klube, të cilat nuk do të kenë shumë jetë të gjatë”, deklaroi “Profa” për “Zërin”.

Image

Muhaxhiri: Klubeve serbe duhen krijuar kushte

Analisti i njohur politik, Artan Muhaxhiri, thotë se klubeve serbe duhen krijuar parakushte për të luajtur në futbollin kosovar. Ai insiston se, momentalisht, këto kushte nuk ekzistojnë, prandaj edhe këto klube ndihen më komode për të luajtur në futbollin serb.

“Nuk duhet të harrohet çështja e sigurisë, e cila është mjaft problematike. Policia e Kosovës nuk arrin si duhet t’i sigurojë stadiumet ku luajnë klubet shqiptare të Kosovës, e lëre me ato serbe. Askush nuk rrezikon të luajë në futbollin kosovar, në këto kushte. Duhen krijuar parakushte, siguri dhe garanci për ta”, thotë Muhaxhiri për gazetën.

Gjithashtu, ai e përmend çështjen politike si një tjetër arsye se përse këto skuadra e kanë përqafuar futbollin e Serbisë, përpara atij të Kosovës.

“Kjo është një çështje politike. Është si rezultat i kompromisit të institucioneve të Kosovës ndaj pakicës serbe, pas disa imponimeve që vijnë nga Bashkimi Evropian. Serbët në Kosovë kanë status të veçantë dhe kjo e përfshin edhe sportin”, vijoi ai. “Më mirë do të ishte për klubet serbe që të luajnë nën ombrellën e FFK-së, e kjo do t’ju shkonte për shtati edhe institucioneve të Kosovës”, nënvizoi Muhaxhiri.

Image

Ligat rajonale të Serbisë në Kosovë

Liga e Mitrovicës

1. Zveçan

2. Rudar

3. Ibar

4. Kopaonik

5. Mosa

Liga e Qarkut të Kosovës

1. Gracanica

2. Gracko

3. Polet

4. Brezovica

5. Sitnica

6. Radnicki

7. Čaglavica

8. Ugljare

Liga e Qarkut e Moravës së Kosovës

1. Glama

2. Sloga

3. Kriva Reka

4. Rudar

5. Izmornik

6. Kusce

7. Oskar

8. Mineralac

9. Morava

Plus, Liga e Katërt e Serbisë

Trepça

Mokra Gora

- Advertisement -

MË TË FUNDIT