Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Mitrovicës.

D.S, 49- vjeçar ka mbetur i vdekur pas të shtënave me armë zjarri dje në rrugën ‘Evlia Qelebia’ në Mitrovicë.

Si pasojë e të shtënave me armë ka mbetur i plagosur edhe vëllai i tij, J.S, 52 vjeçar.

I ndjeri ishte dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas ishte dërguar në QKUK- Prishtinë, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.

Rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se D.S., 49 vjeçar, vdiq si pasojë e plagëve.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se i plagosuri tjetër, J.S 52-vjeçar po vazhdon trajtimin mjekësor.

“Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë.

Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor”, tha Zahiti.

Zahiti bëri të ditur se dy persona të dyshuar, të njohur për policinë janë në kërkim policor.

“Pas ekzaminimeve të kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër (4) gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin. Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim të arrestimit të personave të dyshuar si dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, tha Zahiti.

I ndjeri do varroset sot me namazin e Ikindisë në ora 16:47./Express/