Sot fjala përfundimtare e mbrojtjes në rastin Drenica

Në gjykimin e “Grupit Drenica” fjalën përfundimtare është duke e dhënë Tahir Rrecaj, avokati i Sahit Jasharit.

Rrecaj, sikurse edhe prokurori Hardaway të premten, fjalën e tij e ka përgatitur të shkruar dhe ajo ka 19 faqe.

Avokati i Sahit Jasharit në pjesën që lexoi deri tash theksoi se gjykata nuk e ka vërtetuar kryerjen e veprave penale nga klienti i tij.

“Konsideroj se me asnjë nga provat e administruara të shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se zotëri Jashari i ka kryer veprat penale për të cilat është i akuzuar,” lexoi Rrecaj në gjykatë, transmeton KALLXO.com.

Sipas këtij avokati, prokurori kur dha fjalën përfundimtare përmendi vetëm gjërat që shkojnë në dëm të të akuzuarve, e jo edhe ato në dobi të tyre.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor u vërtetua se prokurori i EULEX-it si gjatë shqyrtimit e po ashtu edhe në fjalën e tij përfundimtare i ka vlerësuar provat gabimisht në mënyrë të njëanshme dhe selektive, duke i vlerësuar vetëm ato prova dhe fakte për të cilat ka besuar se shkojnë në favor të aktakuzës, e jo edhe ato që shkojnë në favor të mbrojtjes,” lexoi më tutje Rrecaj.

Sahit Jashari akuzohet për ndihmë në vrasjen e ish-komandantit të stacionit policor në Gllogovc Ivan Bullatoviqit.
Edhe për këtë akuzë foli Rrecaj.

“Lidhur me vrasjen e supozuar të Ivan Bullatoviqit, prokurori nuk e ka vlerësuar drejt deklaratën e dëshmitares-të dëmtuarës, të dhënë në procedurën paraprake,” thuhet në fjalën përfundimtare të Rrecajt, transmeton KALLXO.com.

Sipas Rrecajt kjo dëshmitare e ka identifikuar një person tjetër e jo Sahit Jasharin, si njeriun që zbriti Bullatoviqin nga treni, kur ai u mor më 23 maj 1998 nga pjesëtarë me uniforma të UÇK-së nga treni i linjës Gllogovc-Pejë.

Rrecaj tha se ndaj këtij personi të identifikuar nuk janë zhvilluar hetime.

Aktualisht Rrecaj ka mbërritur në faqen e nëntë të deklaratës së tij.

Pasi Rrecaj ta përfundojë fjalën përfundimtare, atë pritet ta paraqesë Mahmut Halimi, avokat i Ismet Haxhës./Kallxo.com/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT