Smaka: Gjykata Kushtetuese, në shërbim të politikanëve

    Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, si titullar i institucionit do të duhej të jepte përgjegjësi për veprimet e tij, ka thënë njohësi i kushtetutës, Riza Smaka. Në një intervistë për “Kohën Ditore” ish-deputeti Smaka ka deklaruar se të dhënat të cilat i ka prezantuar Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, lënë vend për dyshime se nuk është gjithçka pastër në Gjykatën Kushtetuese. Smaka ka thënë se përderisa kjo aferë nga Avokati i Popullit prezantohet publikisht dhe me shkresa, letra e dokumente, atëherë del se Gjykata Kushtetuese nuk vepron në mënyrën dhe metodologjinë që do të duhej të funksiononte. Smaka e ka vlerësuar të padrejtë përfshirjen e Gjykatës në procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas Smakës, Jahjaga po të ishte tamam presidente në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe të vepronte sipas Kushtetutës dhe autorizimeve që i ka, do ta dekretonte zgjedhjen e kryeprokurorit. Mjegull në Kushtetuese KD: Së fundi, Avokati i popullit, Sami Kurteshi, ka akuzuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, për mashtrim dhe falsifikim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari Carolan e ka pranuar se nuk ka marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes së trajtuar. Si e interpretoni ju këtë rast? A ka këtu vepër penale? Smaka: Para së gjithash, dua të them se derisa nuk e verifikon gjykata përfundimisht çështjen, askush nuk mund të thotë se ka bërë vepër penale, kushdo qoftë, madje edhe vetë kur e pranon kryesi i veprës penale. Pra kjo është rregulla juridike. Por të dhënat të cilat i ka prezantuar Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, janë indikative se çështja është e mjegullt dhe aty është përzier diçka dhe nuk është gjithçka pastër. Po ashtu është për brengosje të sinqertë veprimi i tillë në Gjykatën Kushtetuese, e cila është instancë e lartë për vlerësimin e drejtë dhe të saktë të Kushtetutës, harmonisë së bazës ligjore me Kushtetutën. Me fjalë të tjera, e ka një pozicion shumë të lartë në hierarkinë gjyqësore, ku do të duhej të punohej me konformitet konsekuent, me kushtetutën e ligjin. Jo të veprohet asisoj ku zotëri Carolan thotë “unë nuk kam qenë dhe nuk kam votuar”, e në anën tjetër ai figuron se ka marrë pjesë në votim. Me këtë rast del se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është i ligjshëm, sepse po mbulohet një votë, pa votën e Carolanit, nuk janë shtatë vota. Kjo është çështja.