Sami Kurteshi ka mohuar se e ka sulmuar dikë sot në KQZ, mirëpo policia ka nisur hetimet dhe ka hapur rast për sulm. Dëshmitarë nga KQZ-ja jozyrtarisht i kanë thënë Expressit se ai e ka sulmuar fizikisht një zyrtar.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast që ka ndodhur rreth orës 12:00 në objektin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e ku përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, dyshohet të ketë sulmuar një zyrtar, shkruan Gazeta Express.

Klan Kosova duke u thirrur në burime gjatë ditës ka raportuar se Kurteshi e ka sulmuar fizikisht një zyrtar të KQZ-së, për shkak se i njëjti nuk e kishte vënë maskën.

E një gjë të tillë, Kurteshi e ka mohuar.

Ai për Express, ka thënë se raportimet se ai ka sulmuar dikë në KQZ janë gënjeshtra.

Ndërsa, dëshmitarë nga KQZ-ja jozyrtarisht i kanë thënë Express-it se Kurteshi e ka sulmuar një “zyrtar të përkohshëm”.

Ndërsa, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në një përgjigje për Express, ka treguar se është iniciuar një hetim për rastin sulm.

“Policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim për rastin sulm”, deklaroi ajo.

Kurteshi njihet në publik për debatet e ashpra me anëtarët e tjerë në KQZ.

Më së shumti përplasje, ai kishte pasur me ish-kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, gjë për të cilën edhe është kritikuar vazhdimisht.

Kurteshi para se të vihej në pozitën e anëtarit në KQZ, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, gjatë viteve 2017-2019. /Express/