Skocia paralajmëron mundësinë e bllokimit të Brexit

Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon i tha “BBC”-së se Parlamenti skocez mund të përpiqet të bllokojë daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Britanikët votuan 52% në favor të largimit dhe 48% për qëndrim në bllokun europian, por në Skoci panorama ishte ndryshe.

62% e skocezëve u shprehën për vazhdimësinë dhe vetëm 38 për qind e dëshironin shkëputjen. Ministrja e parë, partia e së cilës ka 63 nga 129 vendet e Parlamentit, la të kuptohej se do t’iu kërkojë ligjvënësve të refuzojnë dhënien e “pëlqimit të tyre legjislativ”.

“Nëse Parlamenti skocez e gjykon këtë çështje në bazën e asaj që është më e drejta për Skocinë, atëherë opsioni: ne nuk kemi ndërmend të votojmë për diçka që shkon kundër interesave të Skocisëë, padyshim që do të jetë në tryezë”, tha Nicola Sturgeon, ministre e parë e Skocisë.

Mëngjesin e së dielës, Sturgeon njoftoi se ajo dhe kolegët e saj do të nisin javën e ardhshme bisedimet me zyrtarët e Brukselit mbi mundësinë e qëndrimit të Skocisë në BE.

Në ditën kur u qartësua rezultati përfundimtar i votimit në Britani, udhëheqësja skoceze përmendi mundësinë e një referendumi të dytë për Pavarësinë e Skocisë, teksa në një të tillë shtatorin e 2014-s u votua për qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT