Komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, toger Basri Durmishi, tha se që nga viti 2012 e deri më tani pesë qytetarë të komunës së Skenderajt janë vrarë në Siri e Irak. “Sipas të dhënave që kemi janë edhe 10 qytetarë të Skenderajt, të cilët ende ndodhen në ato zona. Në mesin e atyre që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak ka edhe të atillë që janë kthyer ose që janë penduar”, tha Durmishi. I pyetur se për ç‘arsye të kthyerit nga luftërat e huaja nuk janë sanksionuar sipas ligjit, toger Durmishi sqaroi se ndaj tyre janë zhvilluar procedurat policore. “Policia është në kontakt me ta dhe i përcjell në vazhdimësi, ndërsa i shfrytëzon si informatorë. Të gjithë ata janë persona që janë penduar”, ka thënë toger Durmishi, i cili shtoi se “për shkak të ndjeshmërisë nuk mund ta japë as numrin e të kthyerve e as identitetin e tyre”.
Ndërkaq, mulla Nexhmi Maksuti, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Skenderaj, u shpreh kategorik se nuk ka ekstremizëm fetar, sepse, sipas tij, “ekstremizmi fetar nënkupton përpjekjen për ta praktikuar në maksimum fenë”. /Zëri