Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i hap gjitha linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor, e madje t’i lejojë edhe tubimet publike.

Në mbledhjen e ekzekutivit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paraqitur për votim para Kabinetit Qeveritar një propozim-vendim, me të cilin shfuqizohen dy vendime të qeverisë paraprake që pezullonin të gjitha linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.

Megjithëkëtë, në draft-vendim theksohet se rifillimi i transportit ajror dhe hapja e aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, bëhet vetëm për vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë dhe shëndetit.

Udhëtarët që hyjnë në Kosovës, sipas këtij dokumenti, rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë.

Zemaj e ka propozuar hapjen e linjave të transportit ajror e tokësor, por edhe heqjen e kufizimit të organizimeve publike, pasi ka konsideruar se situata epidemiologjike në vend konsiderohet e menaxhueshme.

Vendimi i sotëm do të hyjë në fuqi më 28 qershor.