Sipas ASK-së, vetëm 13 për qind e femrave në Kosovë janë të punësuara

Vetëm 13 për qind të femrave janë të punësuara në Kosovë, ndërsa papunësia te të rinjtë është rritur. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka dhënë pasqyrën e tregut kosovar të punës për vitin 2014.

Sipas ASK-së vetëm 41.6 për qind e personave të aftë për punë janë të përfshirë në fuqinë punëtore të vendit. Kjo është një shkallë e ulët krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit ku është rreth 50 për qind.

Ky nivel i ulët i përqindjes në fuqinë punëtore të vendit mund t’i atribuohet deri në një masë popullsisë relativisht të re, gjë që kjo kategori klasifikohet si joaktive.

Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK), mundësia që kategoria e popullatës të aftë për punë të rritet në mënyrë të vazhdueshme mbetet e lartë, pasi që çdo vit rreth 36 mijë të rinjë i shtohen popullsisë në moshë pune, ndërkohë që vetëm rreth 10 mijë largohen nga popullsia në moshë pune. Bazuar në Anketën e Fuqisë Punëtore për Vitin 2014, norma e punësimit qëndroi në 26.9 për qind. Punësimi kryesisht është i koncentruar në sektorin e shërbimeve dhe atë të prodhimit, ku bashkërisht këta sektorë punësojnë mbi 90 për qind të të gjithë të punësuarve në treg.

Në mesin e sektorëve të shërbimeve, sektori i tregtisë punëson rreth 14 për qind të gjithsej të punësuarve, ndjekur nga sektori i arsimit me rreth 12 për qind dhe ai i ndërtimtarisë që punëson rreth 11 për qind të gjithsej punonjësve në treg. Sipas të dhënave në tre vjetët e fundit, punësimi në sektorin e ndërtimtarisë ka shënuar rritje, përderisa rënie ka pasur në sektorin e bujqësisë dhe atë të minierave.

Nga grup-moshat, popullsia e moshës mes 45-54 vjeç ka normën më të lartë të punësimit apo me një pjesëmarrje prej 38.1 për qind të gjithsej numrit të të punësuarve, përderisa grup-mosha 15-24 vjeç ka normën më të ulët të punësimit apo 9 për qind. Sipas statistikave, 25 për qind e personave të punësuar në vitin 2014 kanë deklaruar që punojnë në vende pune të paqëndrueshme. Këta punonjës janë të angazhuar si individë të vetëpunësuar, ose individë që punojnë pa pagesë në një biznes familjar.

Shkalla e punësimit për vitin 2014 te gjinia femërore ka mbetur në një përqindje të pandryshueshme nga viti paraprak me rreth 13 për qind, ku shkalla më e lartë e punësimit është e koncentruar te mosha 25-44 vjeç. Shkalla e punësimit në vitin 2014 te gjinia mashkullore ka qenë 41 për qind.

Sipas nivelit arsimor, rreth 40 për qind e të punësuarve kishin të përfunduar arsimin e mesëm profesional, kurse rreth 26 për qind kishin të përfunduar arsimin terciar. Arsimi terciar përfshin arsimin e lartë dhe trajnimet e diplomat e ndryshme profesionale dhe tjera të marra pas shkollimit të mesëm.

Rezultatet e anketës tregojnë se punëtorët që kanë përfunduar arsimin e mesëm profesional, kryesisht janë të punësuar në sektorin privat, përderisa punëtorët që kanë të përfunduar arsimin terciar janë të punësuar në sektorin publik dhe atë privat, veçanërisht në ndërmarrje në pronësi.

Statistikat e tregut të punës në vend për vitin 2014 tregojnë për një shkallë të papunësisë prej 35.3 për qind.

Shkalla e papunësisë krahasuar me vitin 2013, rezulton të ketë shënuar rritje, veçanërisht tek të rinjtë apo grup-mosha 15-24 vjeç. Në vitin 2014, të rinjtë kishin dy herë më shumë gjasa të jenë të papunë krahasuar me të rriturit, përderisa rreth 61 për qind e popullsisë së re ishte e papunë. Të rinjtë e grup-moshës 15-24 që ishin të papunë për vitin 2014 përbëjnë 28.5 për qind të të papunëve në papunësinë e përgjithshme.

Në baza gjinore, tregu i punës në vend vazhdon të karakterizohet me një shkallë veçanërisht të lartë të papunësisë te femrat.

Në vitin 2014, shkalla e papunësisë te femrat ishte 41.6 për qind dhe 33.1 për qind tek meshkujt, përderisa sipas grup-moshave janë femrat e reja që kanë shkallën më të lartë të papunësisë me rreth 71.7 për qind. Përqindja e femrave të reja të papuna, grup-mosha 15-24 vjeç në papunësinë e përgjithshme ishte 33.9 për qind në vitin 2014 dhe 26.2 për qind tek meshkujt me grup-moshën e njëjtë.

Edukimi ka përmirësuar perspektivat në tregun e punës në Kosovë. Sipas ASK-së për vitin 2014, shkalla e papunësisë ishte më e lartë për personat e pashkolluar me rreth 65 për qind, ndërsa të gjithë ata që kishin të përfunduar arsimin terciar përbëjnë vetëm 15 për qind të të papunëve.

Mirëpo, në tregun e punë në Kosovë, shqetësues mbetet edhe karakteri afatgjatë i papunësisë. Gjatë vitit 2014 është evidentuar një rritje e shkallës së papunësisë afatgjatë me 73.8 për qind, ku në vitin ishte 68.9 për qind.

Në vitin 2014, nga popullsia joaktive prej 702,238 persona, 128,400 e tyre nuk kanë kërkuar punë si pasojë e pritjeve se nuk do ta gjejnë një vend pune.

Kategoria e klasifikuar si punëkërkues të“dekurajuar” përbën 10.7 për qind të popullsisë në moshë pune në vend, përderisa niveli i dekurajimit është më i lartë te femrat me 13.1 për qind se te meshkujt me 8.2 për qind.

Megjithatë, shkalla e dekurajimit që në një formë reflekton edhe pritjet për ofertën në tregun e punës në vend, ka shënuar rënie krahasuar me vitin 2013 që ishte 13.1 për qind. /Kallxo.com

- Advertisement -

MË TË FUNDIT