Sinani e lumtur për ndarjen e 2 milionë eurove për Preshevën: Faleminderit Kosovë

Kryetarja e Luginës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se është e lumtur pasi që Qeveria e Kosovës ndau dy milionë euro nga buxheti për këtë komunë.

Përmes një postimi në Twitter, Sinani tha se kjo mbështetje merr vlerë të shtuar nga fakti se Lugina e Preshevës po bëhet pjesë përbërëse e buxhetit të Kosovës.

“Lajm shumë i mirë njoftimi i sotëm nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, për buxhetimin prej 2 milionë euro për Luginën e Preshevës. Kjo mbështetje merr vlerë të shtuar nga fakti se Lugina e Preshevës po bëhet pjesë përbërëse e buxhetit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sinani.

Ndryshe, të premten Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në vlerë prej dy miliardë e  748 milionë eurosh – 220 milionë euro më shumë apo 8.7 për qind, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

Sipas kryeministrit, Albin Kurti, nga ky buxhet, për herë të parë do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës./SHQIP.com