Sigurohen kampionët

Komuna e Drenasit dhe ndërmarrja e Ferronikeli zotohen për mbështetje edhe në sezonin e ardhshëm për KF “Feronikeli”.

Komuna e Drenasit së bashku me ndërmarrjen e Ferronikelit, kanë pritur sot në një takim përfaqësuesit e kryesisë së Klubit të Futbollit “Feronikeli” dhe janë zotuar se mbështetja financiare do të jetë edhe më e madhe në të ardhmen dhe kanë uruar për titullin e fituar të Kampionit të Kosovës.

Nënkryetari i Komunës, z. Arsim Haxhiu ka përshëndetur përfaqësuesit e KF Feronikeli dhe zëvendës drejtorin e ndërmarrjes së Ferronikelit dhe ka shtuar se “Komuna ka bërë përpjekjet e veta që ti ndihmoj klubit dhe kjo është arsyetuar me angazhimin, punën dhe kurorëzimin me titull Kampion i Kosovës. Ne nuk do të heqim dorë nga përkrahja e sportit cilësor, krijimin e kushteve më konkretisht ndërtimin e stadiumit si dhe përkrahjen financiare. Andaj uroj të vazhdoni me suksese edhe ne të ardhmen”, ka thënë nënkryetari Haxhiu. Ndërkaq Zv. Drejtori i Ndërmarrjes Ferronikeli z. Gani Canolli, uroi klubin për marrjen e titullit dhe uroi që ky klub të vazhdojë me suksese edhe në të ardhmen.

“Duke marrë parasysh kushtet e vështira që keni pasur si klub, nuk e keni pasur të lehtë të arrini këtë sukses, por me sakrificë dhe mund ja keni dalë. Në emër të Ferronikelit ju uroj shumë suksese për këtë titull dhe për titujt në të ardhmen”, uroi z. Canolli dhe shtoi se ndërmarrja Ferronikelit përkrah fuqishëm klubin “Feronikeli” dhe zotohet se do ta përkrah edhe në të ardhmen. Me këtë rast përfaqësuesit e Klubit Futbollistik “Feronikeli”, në shenjë falënderimi për përkrahjen e vazhdueshme që ndërmarrja i ka bërë klubit ndër vite, ndan mirënjohje, medalje dhe një fanellë të nënshkruar nga të gjithë lojtarët e klubit. Kryetari i Klubit “Feronikeli”, z. Ekrem Elshani, ndër tjerash u shpreh se ” kjo ka qenë një ditë e madhe për Drenasin kur kemi parasysh që pas 41 vitesh po kurorëzohemi me titullin kampion i Kosovës. Ju falënderojmë për ndihmën e vazhdueshme që ka bërë Ferronikeli dhe Komuna e Drenasit. Po ashtu ju garantojmë që këtë angazhim dhe këtë sukses nuk do ta ndërpremë as në vitet e ardhme. Presim nga klubi të fitoj sa më shumë tituj”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT