Si është bërë gluteni armiku numër një

Kur bashkohen industria e fuqishme ushqimore dhe yjet e popullarizuara zakonisht në mënyrë sezonale demonizohet ndonjë ushqim.

Gluteni, proteina e cila gjendet në grurë, momentalisht paraqitet si rreziku kryesor nutricionist, por ekspertët tërheqin vërejtjen që ushqimi pa gluten mund të ndikojë negativisht në shëndetin e personave që nuk vuajnë nga sëmundja celiake.

Edhe një çmenduri tjetër e ushqimit është popullarizuar nga yjet: Victoria Bekcham, Gwyneth Paltrow dhe Miley Cyrus janë ndjekëse të regjimit në të cilin nuk hahen ushqimet e grurit, respektivisht gluteni, transmeton Koha.net. Por heqja dorë nga buka, pastat, ëmbëlsirat, pizza, respektivisht ushqimi i cili përmban gluten – proteina e ngjitshme e cila gjendet në grurë, thekër dhe elb – nuk është aq e thjeshtë siç ndoshta mund të duket, veçanërisht kur nuk keni kuzhinier personal që do t’ua përgatisë alternativat e shijshme.

Në disa vitet e fundit industria ushqyese ka zbuluar atunë e re – ushqimet pa gluten për personat me sëmundje celiake, të cilat janë jotolerant në produktet që përmbajnë drithëra, produktet e tilla ua bëjnë jetën shumë më të lehtë.

Po sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore vetëm një për qind e popullatës vuan nga sëmundjet celiake. Njëkohësisht, ky treg rritet me shkallen prej 15 për qind në vit.

Në artikullin e fundit të publikuar në revistën “British Medical Journal” autorët sugjerojnë se si regjimi ushqyes pa gluten është i popullarizuar edhe në mesin e atyre që dëshirojnë të dobësohen. Kështu në dhjetë vitet e fundit karbohidratet demonizohen tek personat që kanë probleme me kilogramët e tepërt.

Në veçanti fajësohet gluteni për të cilin disa ekspertë pohojnë që është përgjegjës për trashje.

Njëkohësisht edhe mbështetësit e kësaj teorie nutricioniste që nga Lady Gaga e deri te Andy Murray kanë pohuar që dieta pa gluten zgjidh spektrin më të gjerë të problemeve: lodhjen, fryrjen, humbjen e flokëve dhe tenin e keq.

Por a janë produktet pa gluten aleat me të vërtetë aq i mirë në dobësim? Në produktet industriale pa gluten proteina nga mielli i grurit vetëm është zëvendësuar me miellin me origjinë tjetër, si të bajameve, orizit, misrit. Atij i shtohet aditivi ose niseshteja e misrit dhe sheqernat dhe yndyrat shtesë që produktet të jenë më të shijshme. Rezultati është që buka pa gluten mund të trashë më shumë se ajo e zakonshmja.

Edhe pse ushqimi pa gluten nuk do të na bëjë më vital apo më të shëndetshëm, si është e mundur që dieta e tillë është gjithnjë e më e popullarizuar? Një prej arsyeve është dhe libri ‘Wheat Belly’ i autorit William Davis, kardiologut i cili konsumimin e grurit e lidh me shumë gjendje nga skizofrenia e deri te zbokthi dhe diabeti e artriti. Ai beson që gluteni është”helm kronik i rrezikshëm si heroina”.

Edhe pse kjo tingëllon e panatyrshme sepse regjimi perëndimor i ushqimit përfshi drithëra nga kokrrat e papërpunuara që nga kohërat biblike, dr. Davis pohon që drithërat që i hamë sot dallojnë ata që kanë ngrënë gjyshërit tanë.

Para pesëdhjetë viteve, shpjegon dr. Daivs, shkencëtarët kanë krijuar një lloj të grurit xhuxh i cili rritet dyfish më shpejt dhe është dyfish më i qëndrueshëm se sa gruri tradicional.

Nutricionistët tjerë janë skeptik ndaj tezës së tillë. “Nuk njoh as një dëshmi biokimike për tezën e tillë. Nuk është problemi në llojin e keq të grurit, por në faktin që e hamë për së tepërmi”, thotë nutricionisti Ian Marber.

“Ushqimi ynë përfshin për së tepërmi karbohidrate. Por përjashtimi i grurit, nuk është i thjesht. Gruri ka reputacionin të keq, por njëkohësisht është burim i rëndësishëm i vitaminës B, fibrave dhe kalciumit. “

Atë e shqetëson edhe fakti që shumë njerëz e diagnostikojnë veten me sëmundjen celiake dhe që nuk janë fare jotelorantë.

“Njerëzit dinë të hanë një pjatë të madh me pasta dhe më pas nuk ndihen edhe aq mirë dhe konkludojnë që janë alergjik. Por nuk janë, vetëm që kanë ngrënë për së tepërmi pastë.”

Është shumë më lehtë të besoni që keni problem shëndetësor për të cilin jeni të trashë se sa të merrni përgjegjësinë mbi kilogramët tuaj, transmeton Koha.net. Ironia është që terapia që e caktoni vet nuk është e parrezikshme.

“Nuk ka dëshmi që do të sugjeronin që ushqimi pa gluten jep përparësi të rëndësishme në popullatën e përgjithshme”, pohohet në studimin e publikuar në revistën “Journal of the Academy of Nutrition and Dietetics”.

“Madje-madje ka dëshmi që tregojnë që ushqimi pa gluten mund të ndikojë negativisht në shëndetin e zorrëve te personat që nuk vuajnë nga sëmundja celiake ose ndjeshmëria në gluten.”

Ndoshta përgjigja është në gjetjen e mesit të artë. Hani sa më shumë pemë dhe perime dhe jini të vetëdijshëm që dieta pa gluten nuk mund të jetë zgjidhje për shëndetin ose belin tuaj.

“Është amorale nga industria ushqimore që shet sëmundjen nga e cila shumica e njerëzve nuk vuajnë. Ushqimi pa gluten është bërë obsesion i cili ua shkurton njerëzve të drejtën për ta shijuar ushqimin”, thotë Ian Marber.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT